Markle shpjegoi se si mësoi të përballonte refuzimet gjatë viteve të para të karrierës…
Meghan Markle ka zbuluar se kishte vështirësi të gjente punë para se të arrinte suksesin me serialin Suits, për shkak të mungesës së roleve për personat me përzierje racore.
Në një intervistë për podcastin Aspire të Emma Grede, Markle shpjegoi se si mësoi të përballonte refuzimet gjatë viteve të para të karrierës së saj si aktore.
Ajo e përshkroi këtë periudhë si një “kapitull plot me dyshime ndaj vetes”. “Isha një aktore që merrja pjesë në audicione dhe kjo ishte shumë përpara Suits dhe duhet të kuptoni që në atë kohë nuk kishte shumë role për persona me përzierje racore”-tha Markle.
“Nëse shkoja në audicion, ishte zakonisht për një nga dy lloje rolesh, duhet të kujtoni që kjo ishte një kohë shumë ndryshe nga tani. Ky rol zakonisht kërkonte një vajzë me flokë bionde, sy blu dhe një pamje të caktuar, por për shkak se jam gjysmë e bardhë, më përfshinin edhe në audicione për ato role. E më pas, nëse roli ishte për një personazh me ndonjë prejardhje etnike, ato role kishin gjithmonë njëfarë ‘ashpërsie’ apo ‘karakteri’ të fortë, por edhe për ato më paraqisnin. Për më tepër, shumë nga njerëzit që aranzhojnë aktorët mendonin se unë isha latine”.
Markle, e cila nuk ka aktruar prej vitesh dhe tani është përqendruar tek serialet e saj në Netflix dhe kompaninë e stilit të jetesës, tha se kjo ishte një “lojë numrash” që shpesh rezultonte me dhjetëra refuzime nga drejtuesit e kastingut.
Ajo shtoi: “Kjo gërryen shumë vetëbesimin. Është shumë e vështirë. Kalova një kapitull me dyshime ndaj vetes si aktore në audicione dhe më pas edhe më gjerë. Kur je e zënë nga ajo që mendojnë të tjerët për ty, kjo mund të jetë një mënyrë shumë e vështirë për të jetuar.”
Markle ka folur më parë për këtë periudhë të karrierës së saj.
Në një opinion të shkruar për revistën Elle në vitin 2015, ajo tha: “Nuk isha mjaftueshëm e zezë për të pasqyruar personat me ngjyrë dhe as mjaftueshëm e bardhë për personazhet ‘e bardhë’, duke mbetur diku në mes si ‘kameleoni etnik’ që nuk mund të siguronte punë”.