Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, po vazhdon t’i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.
Mishetiq, pas rifillimit të seancës publike, komentoi për incidentin në Qirez, ku një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës u mbajt i ndaluar për afër 48 orë gjatë vitit 1998.
“Delegacioni parlamentar u mbajt në ndalim për 48 orë. Për arsye të shpjeguara, ky ndalim 48-orësh nuk mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare themelore. Provat tregojnë se ky ndalim nuk ishte një sulm i gjerë”, tha Mishetiq.
Ai sqaroi se nuk ka asnjë bazë për të menduar se ndalimi u krye për arsye të tjera përveç atyre ushtarake, duke përmendur frikën se delegacioni kishte shkuar pa paralajmërim për të inkurajuar dorëzimin ndërsa Qirezi ishte nën sulm.
“Ky ndalim nuk ka pasur qëllim të realizojë qëllimin kriminal të pretenduar”.
Sipas avokatit, Gjergj Dedaj kishte dëshmuar në Hagë se Thaçi nuk ndodhej në Qirez dhe nuk kishte pësuar ndonjë lëndim gjatë ndalimit. Dedaj gjithashtu kishte tërhequr një deklaratë të bërë më 2014 në EULEX.
Mishetiq theksoi se Prokuroria e Specializuar (ZPS) kishte tentuar të argumentonte se në një konferencë për media të delegacionit parlamentar të LDK-së, dora e Dedajt ishte e mavijosur. “Dëshmitë e ofruara nga mbrojtja tregojnë se dora e Dedajt nuk kishte mavijosje dhe se ajo që u transmetua nga ZPS-ja ishte thjesht hije e kamerave që binte mbi dorën e tij, jo një mavijosje reale”.
Ai shtoi se provat e kohës tregojnë se delegacioni nuk kishte pësuar abuzime të rënda as në Qirez, as në Baicë dhe se nuk ka dëshmi nga viti 1998 që të mbështesin këtë pretendim.
Në lidhje me rastin e Baicës, delegacioni kishte akuzuar për keqtrajtim Sabit Gecin, por sipas Mishetiq, ZPS-ja nuk ka demonstruar se Hashim Thaçi kishte udhëhequr ndonjë veprim në këtë rast.