Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka siguruar 2 milionë euro për hartimin e projektit për rrugën që do të lidhë Tetovën dhe Prizrenin. Ky aks rrugor, ndër vite ka qenë zotim qeveritar, ndërkohë që dikasteret e transportit të Shkupit dhe Prishtinës zyrtare, që në vitin 2024 nënshkruan një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili parashihet të ketë një gjatësi prej 6.4 kilometrash.
Rruga Tetovë–Prizren po hyn në një fazë të re realizimi. Për këtë vit, Ministria e Transportit ka siguruar 2 milionë euro nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” për hartimin e projektit kryesor, duke nënvizuar se ky dokumentacion është parakusht për të përcaktuar koston e saktë dhe afatet e punimeve për këtë aks rrugor strategjik që lidh dy vendet përmes një tuneli të përbashkët.
“Për vitin 2026, nga buxheti i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore janë siguruar 2 milionë euro për projektimin kryesor dhe tani shumë shpejt duhet të hapet tenderi për projektim. Më vjen keq që duhet ta them këtë, por patjetër duhet ta kalojmë pjesën e projektit kryesor. Pa projekt, ne nuk mund të dimë saktë sa do të kushtojë, sa do të zgjasin punimet, si do të realizohet e gjithë kjo”, ka deklaruar Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut.
Komuna e Tetovës tashmë ka prezantuar trasenë e rrugës nga Tetova deri te vendi ku planifikohet të hapet tuneli, duke vënë në pah se punimet në terren kanë filluar.
“Do të jetë nga rruga Tetovë–Kodra e Diellit, kthesa mbi Shipkovicë deri në dalje të Shipkovicës. Pjesa tjetër e rrugës Tetovë–Prizren do të jetë traseja e rrugës ekzistuese, vetëm do të bëhet zgjerimi i saj”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Rruga Tetovë–Prizren është premtim ndër vite. Madje në janar të vitit 2024 mes dikastereve të transportit Maqedoni e Veriut–Kosovë është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili parashihet të ketë një gjatësi prej 6.4 kilometrash.
tag_katrorimaqedoni_2