Manchester City ka ftuar një numër klubesh në një ndeshje të pazakontë “vitrinë”, ndërsa synon të largojë deri në 25 lojtarë gjatë afatit kalimtar të verës.
Ndeshja do të zhvillohet të martën dhe klubet e interesuara do të kenë mundësinë t’i shohin nga afër futbollistët që mund të transferohen në formë huazimi ose përfundimisht.
Pas emërimit të Enzo Marescas si pasues i Pep Guardiolës, pas një dekade dominimi, Manchester City po përgatitet për ndryshime të mëdha në skuadër.
Klubi tashmë ka transferuar mesfushorin e Anglisë, Elliot Anderson, për shumën rekord prej 115 milionë funtesh.
Priten edhe përforcime të tjera në “Etihad Stadium”, por paralelisht pritet edhe një numër i madh largimesh.
Bernardo Silva dhe John Stones janë larguar si lojtarë të lirë pas përfundimit të kontratave të tyre, ndërsa Nathan Ake iu bashkua klubit turk Fenerbahce.
Deri në 25 lojtarë në dispozicion
Sipas gazetarit Alan Nixon, City ka ftuar një numër klubesh që ta ndjekin ndeshjen e së martës, ku pritet të aktivizohen deri në 25 futbollistë.
Shumë klube nga Championship pritet të jenë të pranishme, së bashku me përfaqësues të klubeve të ndryshme evropiane.
Ndeshja do t’u japë mundësi drejtuesve dhe skautëve që të shohin disa nga talentet e Cityt, të cilët janë në dispozicion për huazim ose transferim të përhershëm.
Divine Mukasa, i cili zhvilloi gjashtë paraqitje për Cityn përpara se ta kalonte pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Leicester City, është një nga lojtarët që pritet të luajë.
Gjithashtu pritet të aktivizohen Jaden dhe Reigan Heskey, djemtë e ish-sulmuesit të Anglisë, Emile Heskey.
Në dispozicion pritet të jenë edhe Max Alleyne, Spike Brits, Charlie Gray dhe Issa Kabore.
Çfarë do të ndodhë me Grealish dhe Phillips?
Ende nuk dihet nëse Jack Grealish dhe Kalvin Phillips do të përfshihen në këtë ndeshje.
Të dy janë rikthyer nga huazimet e tyre dhe vazhdojnë të kenë kontrata me Manchester Cityn.
Dy futbollistët, të cilët së bashku numërojnë 70 paraqitje me kombëtaren e Anglisë, janë parë duke zhvilluar stërvitje intensive në temperatura deri në 40 gradë, teksa përpiqen ta rikthejnë formën fizike.
Të dy mund të jenë pjesë e skuadrës gjatë fazës përgatitore.
City vazhdon me transferimet
Manchester City do të udhëtojë në Azi për turneun parasezonal, ku do të përballet me Interin në Hong Kong dhe më pas me yjet e K-League në Seul.
Katër ditë më vonë, City do të luajë kundër Atletico Madridit, përpara ndeshjes së “Community Shield” në Cardiff.
Për shkak të pushimit që do t’u jepet futbollistëve të angazhuar në Kupën e Botës, City pritet të udhëtojë pa një pjesë të konsiderueshme të skuadrës së parë.
Megjithatë, klubi ka vazhduar me përforcimet.
City mposhti Arsenalin në garën për transferimin e anësorit 17-vjeçar Jeremy Monga, i cili u transferua nga Leicester City për 12.5 milionë funte.
Gjithashtu, klubi transferoi Mathys Detourbet nga klubi simotër Troyes për 21 milionë funte, përpara se ta huazonte menjëherë te AS Monaco.
Në mënyrë të ngjashme, City ka transferuar edhe portierin e Irlandës së Veriut, Pierce Charles, nga Sheffield Wednesday, por e ka huazuar menjëherë te QPR në Championship. /GazetaExpress/