Mali i Zi: Zgjedhjet për pushtet apo për shtet? - Gazeta Express
string(45) "mali-i-zi-zgjedhjet-per-pushtet-apo-per-shtet"

Gazeta Express

03/09/2020 15:52

Mali i Zi: Zgjedhjet për pushtet apo për shtet?

Gazeta Express

03/09/2020 15:52

Nuk ka kush që mund me një siguri të plotë ta thotë se kah do të ecën tash e tutje Mali i Zi, si shtet i pavarur, si anëtar i Aleancës Veri-Atlantike dhe si shteti që është më së afërmi për tu integruar në BE.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Rotacion pushteti apo rotacion shteti?

Një pyetje a një fjali e vetme, me dy qëndrime diametralisht të kundërta, historikisht dhe politikisht, duket që përmbledhë në vete çfarë mund të ndodhë tash e tutje në Malin e Zi, në shtetin fqinj të Kosovës, në vijim të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit.

Shumëkush, në paralajmërim të këtyre zgjedhjeve, jo vetëm në skenën politike malazeze, por edhe në rajon, pati pohuar që këto votime do të jenë historike, apo, që do të mund ta ndryshojnë historinë  (mbase, edhe gjeografinë), e Malit të Zi, por edhe të gjithë kësaj ane të Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka kush që mund me një siguri të plotë ta thotë se kah do të ecën tash e tutje Mali i Zi, si shtet i pavarur, si anëtar i Aleancës Veri-Atlantike dhe si shteti që është më së afërmi për tu integruar në Bashkimin Evropian.

Por janë të shumtë ata që pajtohen  (edhe pse nga pikëvështrimet që jorrallë janë krejtësisht të ndryshme), që Malin e Zi e pret një periudhë e mbushur me paqartësi të shumta, me tensione të ndryshme politike, me kundërshtime dhe përplasje të nduarnduarta politike, të cilat në tërësinë e tyre, mund ta devijojnë udhën e Malit të Zi kah BE-ja, dhe madje, ta mëdyshin dhe ta zhbëjnë orientimin e qartë pro-perëndimor të cilin e ka pasë ky shtet diku prej gjysmës së viteve të nëntëdhjeta (të shekullit të kaluar) e tutje, kur madje ende ishte pjesë përbërëse e RFJ-së.

Nuk ka kurfarë dyshimi që zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi, të mbajtura të dielen e kaluar, kanë tejkaluar në masë të madhe atë kornizën e një gare të rëndomtë për Kuvendin dhe Qeverinë e këtij vendi.

Vetëm në sipërfaqe, në atë majën e Icebergut politik, kryefjala e këtyre votimeve me një dalje të jashtëzakonshme të qytetarëve  (që kalon tri të katërtat e votuesve të regjistruar), kishte të bënte me atë dukurinë e konsumimit dhe shterrjes së një qeverisjeje që i mbijetoi dy epokave historike  (komuniste dhe demokratike), tri shteteve të përbashkëta me Serbinë  (RSFJ-në, RFJ-në dhe Unionin e Serbisë dhe Malit të Zi), katër luftërave që iu qepën shpërbërjes së RSFJ-së  (prej Sllovenisë deri në Kosovë).

Tridhjetë vjet të kësaj qeverisjeje njohin pa kurfarë dyshimi arritje të mëdha historike dhe politike të këtij pushteti, që mbi të gjitha lidhet me emrin e Milo Đukanovićit, Presidentit të tashëm dhe Kryeministrit të mëparshëm të Malit të Zi.

Mali i Zi nuk pati pasoja të mëdha të luftërave të nisura nga pushteti i Slobodan Miloševićit në Beograd.

Đukanović arriti ta rikthejë pavarësinë e Malit të Zi, përmes Referendumit të vitit 2006. Në ato rrethana  (te ne është harruar krejtësisht ky fakt, të cilin nuk ka pasë si mos ta ketë parasyshë Ekipi i Unitetit i Kosovës që ishte në ballë të bisedimeve për pavarësimin e Kosovës), pavarësimi i Malit të Zi, në majin e vitit 2006-të, ishte një argument sipëror që edhe Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur, sepse në këtë mënyrë, ranë poshtë të gjitha idetë dhe modelet ndërkombëtare, që ndërtonin një shtet të përbashkët në mes të Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Đukanović dhe DPS  (partia e tij), arritën t’i shpëtojnë edhe një tentim grushtshteti të rrezikshëm të vjeshtës së vitit 2016-të, i cili kishte për qëllim që Mali i Zi të mos anëtarësohet në Paktin NATO.

Dihet se kush qëndronte prapa këtij tentim grushtshteti.

Më në fund, ky pushtet i dha kahje të qartë evropiane dhe perëndimore Malit të Zi.

Luftimi i Đukanovićit dhe pushtetit të tij, si më parë, ashtu edhe kësaj here, në këto zgjedhjet e fundgushtit, fare pak është bërë me parime të mirëfillta demokratike, që synojnë atë rotacionin e pushtetit, krejtësisht të zakonshëm në një demokraci parlamentare, dhe shumë më tepër ishte një përplasje e madhe e vlerave politike dhe qytetëruse, në mes të dy krahëve të politikës malazeze që janë të antagonizuara për dhjetëra vjet a më shumë, rreth identitetit themelor kombëtar dhe shtetëror të Malit të Zi.

Sekush që ka përcjellë sadopak zhvillimet e viteve të fundit në këtë shtet, e di mirë që në anën e kundërshtarëve të Đukanovićit, të atij kampi pro-serb dhe pro-rus, kanë qenë të mobilizuar faktorët politik të Beogradit dhe të Moskës.

Çfarë i bashkon të gjithë këta faktorë, në gjithë agresivitetin e tyre, është luftimi i Perëndimit, i cili në këtë rastin konkret ka dy forma apo dy dukje më të njohura: Aleancën Veri-Atlantike, dhe Kosovën si shtet të pavarur.

Dalja nga anëtarësimi në Paktin NATO dhe tërheqja e njohjes së Kosovës, kanë qenë dy qëndrimet dhe orientimet kyç të subjektit të dytë më të votuar në Mal të Zi, të ’Frontit Demokratik’, që fitoi 27 mandate në Kuvendin e Malit të Zi.

Đukanović dhe pushteti i tij, objektivisht kanë pasur kundër vetes Serbinë dhe Rusinë, teksa në mbrojtje të vlerave perëndimore të cilat pushteti i tij përfaqëson, nuk ka pasë një mobilizim të mirëfilltë të Perëndimit.

Shkurt, Đukanović dhe Podgorica zyrtare ishin lënë në mëshirën e fatit, edhe pse ’Fronti’ politik dhe gjeo-strategjik i Ballkanit Perëndimor, ka një rëndësi të madhe si për SHBA-në, ashtu edhe për BE-në dhe për Perëndimin në përgjithësi.

Por nuk është as hera e parë dhe as e fundit të Perëndimi po tregon një ngathtësi evidente në kundërvënien ndaj një mësymje të qartë të Rusisë në këto anë të Evropës.

Sidoqoftë, Đukanović dhe DPS, edhe pse dolën fitues formal të këtyre zgjedhjeve  (por pa kapacitetin për krijimin e Qeverisë së re të Malit të Zi), humbën pushtetin, sepse kundër tij pati një mobilizim të paparë në vetë Malin e Zi, por edhe në Serbi dhe në Rusi.

Kur të kihet parasyshë i gjithë ky mobilizim politik kundër tij, mund të thuhet madje që Đukanović dhe DPS kanë arritur rezultat të mirë zgjedhor.

Đukanović megjithatë do të mbetet President i Malit të Zi deri në vitin 2023. Do të jetë pra një kohabitacion i paparë dhe me siguri, me plotë tensione dhe kundërshti, në mes të Presidentit dhe Qeverisë së re të këtij shteti.

Këto zgjedhje dhe rezultati i tyre, vetëm sa e kanë forcuar politikisht Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučićin. Ai dhe Beogradi zyrtar do të kenë një ndikim shumë më të madh në këtë shtet, në Mal të Zi, duke u përpjekur që ta shtrijnë atë hapësirën e influencës serbe shumë përtej territorit të shtetit të Serbisë.

Sidoqoftë, mbetet të shihet në muajt dhe vitet e ardhshme se për çfarë rotacioni bëhet fjalë në Malin e Zi: Për atë të pushtetit, apo atë të shtetit.