Makiavelistët e sotëm dhe morali në politikë - Gazeta Express
string(44) "makiavelistet-e-sotem-dhe-morali-ne-politike"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/01/2022 12:17

Makiavelistët e sotëm dhe morali në politikë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

11/01/2022 12:17

Në një botë ku suksesi synohet me çdo kusht, duhet guxim dhe mbështetje në disa standarde morale. Nëse pasuria dhe fama janë synimet e shumicës së njerëzve, a mund të pritet që ata që hyjnë në politikë të heqin dorë nga këto synime, pra të sillen si shenjtorë? Rregullat morale nuk janë vetëm kufizuese, por edhe të dëshirueshme, sepse kur njerëzit do të pranonin të heqin dorë nga normat morale, ata në fakt kanë hequr dorë nga e ardhmja e tyre

Shkruan: Arbër I. Halilaj

Qysh si fëmijë më ka impresionuar gjallëria në treg, laramania e ngjyrave, takimet aq të shumta me njerëzit që njohim, ardhja e mysafirëve tek ne në qytet etj. Këto e lënin paksa anash faktin e papastërtisë, baltës, zhurmës që krijohej në treg, e që nuk ia vënim veshin aq shumë!

Tregu në qytetin tim mbahet të enjteve, ku përveç tjerash, në një lokacion të veçuar shiten edhe bagëtia. Gjithmonë ka plot popull aty, ka tyxharë (siç i quajmë) që blejnë e shesin dhe lopë, qingja e bagëti tjera që shiten!  Nga nënqeshja në fytyrë, duket se më së miri aty i levërdisë tyxharit (shit-blerësit) të rryer!

***

Nga ai tregu që unë e kujtoj qëmoti nga fëmijëria ime e deri tani në ditët e sotme, janë bërë ndryshime të mëdha, qoftë për të mirë apo edhe disa për të keq. Se në vitet e fundit kemi pësuar një kolaps moral dhe shpirtëror të shoqërisë, krahasuar me kohën e hershme që po e theksoj, është vlerësimi që më së shpeshti mund të dëgjohet, si nga qarqet laike ashtu edhe nga shtresat intelektuale  të shoqërisë sonë, bile për këtë përmbysje të vlerave morale thuajse nuk ka asnjë dyshim se ka ndodhur. Vjedhjet, grabitjet, mashtrimet, rrëmbimet, gënjeshtra, hipokrizia, dekurajimi, fyerjet, intoleranca, zilia, xhelozia, lakmia për të gllabëruar më shumë, prioritizimi i interesit personal, prirja për dhunë, humbja e vetëkontrollit, humbja e dinjitetit personal, votimi i ndikuar dhe shitja e votës, janë vetëm disa nga treguesit e fundosjes personale dhe sociale. Nga ana tjetër, arroganca si dhe shthurja e llojit më të ulët, janë tregues që karakterizojnë shumë nga ata që kanë fuqinë e pushtetit dhe të parasë. Këta janë tregues që flasin qartë për një rënie morale të shoqërisë! Shkaqet e saj janë të shumëllojshme, që nga globalizmi i pakontrolluar, shkaqe me gjenezë shoqërore, ekonomike, kulturore, por këtu do të analizojmë një anë tjetër të këtij problemi – atë të shkaqeve politike.

Nëse bisedoni me një përfaqësues të lartë të një partie politike në Kosovë për ideologjinë e partisë së cilës ai i përket, vështirë se do të arrini të kuptoni diçka rreth kësaj ideologjie partiake nga përgjigja e tij. Nuk janë të rralla rastet kur merrni përgjigjen se një parti politike nuk ka nevojë për ideologji. Kur në biseda ose publikisht tërhiqni vërejtjen për sjelljet imorale apo të paligjshme të anëtarëve të partive në pushtet kudo në Ballkan, do të merrni rregullisht përgjigjen se “përgjegjësia është individuale dhe se institucionet e sistemit duhet të bëjnë punën e tyre”, ndërsa nuk është sekret se kujt i përkasin të njëjtat institucione të sistemit – partisë në pushtet.

Se partitë nuk janë të profilizuara ideologjikisht, flet edhe fakti se për interesa të çastit dhe kryesisht të përfitimit korruptiv personal, vazhdimisht ka kalime nga njëra parti në tjetrën, jo për çështje parimore apo programore, por për interesa e përfitime thjeshtë personale varësisht nga raporti i forcave në pushtet. Fatkeqësisht, partitë politike në Kosovë, që nga ekzistenca e tyre, nuk kanë arritur që të profilizohen politikisht dhe ideologjikisht, si parti të djathta, të majta, socialdemokrate, liberale demokratike etj. Ky mosprofilizim i tyre vazhdon edhe më tej, pavarësisht se shumica e tyre kanë përvojë qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, duke bërë disa herë koalicione partnerësh për qeverisje, koalicione parazgjedhore, por edhe koalicione paszgjedhore.

Tradhëtimi i besimit të marrë me votë për një kauzë ose pikëpamje të caktuar dhe kalimi në “taborrin” tjetër brenda natës, të cilin deri dje e kemi kritikuar deri në fyerje, është bërë një lloj trendi dhe askujt më nuk i duket i palogjikshëm ky ndryshim i shpejtë prej kameleoni. Krejt kjo, për hipokrizi, ndodh përderisa thirremi në “përfaqësimin e vullnetit të popullit” të cilit ia kemi marrë votën, vullnet ky që dallon diametralisht nga vullneti personal i kameleonëve dhe mantenutave politike, që bëjnë këso lëvizje për motivin bazë-përfitimin puro vetanak!

Kur publiku reagon për faktin se një pushtetar politik ka raportuar në deklarimin e pasurisë se nuk ka asnjë cent kursim, bile është në kredi deri në fyt saqë të vjen gjynah, edhe pse të gjitha vlerësimet dhe faktet reale thonë se ai është një multimilioner, e shumta që ndodhë atëherë është se institucionet e sistemit “nisin hetimet”. Bile, duke e shqyrtuar se mos ndoshta raportimi, shkrimi apo vëzhgimi në pronën dhe pasurinë e dikujt është shkelje e privatësisë së tij personale dhe të drejtave të njeriut. Por, a ka dhe a zbatohen normat morale në politikë?

Që nga lindja e organizimit politik të njerëzve, idetë dhe ideologjia e një subjekti politik kanë qenë shenja dalluese e tij, ndërsa forca më e madhe e atij subjekti politik është në forcën dhe besueshmërinë morale të anëtarëve të atij subjekti politik.

Është krejtësisht e gabuar të mendohet se të drejtat personale, liritë e njeriut dhe çështja e ruajtjes së privatësisë janë të barabarta si për personat që nuk janë, ashtu dhe për ata që janë anëtarë të një partie politike. Ai person që është anëtar i një partie politike, e një parti politike dihet se krijon politikën shtetërore nga e cila varet jeta e të gjithë qytetarëve në shtet, i njejti duke marrë pjesë në krijimin e kësaj politike shtetërore, është bartës i pushtetit dhe përgjegjësisë publike, qoftë edhe pushtet i nivelit më të ulët. Me aktivizmin e tij politik, një anëtar i partisë duhet të mbajë edhe përgjegjësi morale. Kështu, edhe privatësia e tij duhet të jetë më e hapur sesa privatësia e një qytetari të zakonshëm që nuk merr pjesë në krijimin e politikës shtetërore përmes partisë.

Duke mos u marrë shumë me çështjet e moralit, partitë politike janë bërë vatrat më të mëdha të ngecjes morale dhe shpirtërore në mbarë shoqërinë tonë. Prandaj, disa parti politike që i kanë vënë vetes për detyrë mbrojtjen e “privatësisë së anëtarëve”, në fakt nën këtë argument fshehin të gjithë imoralitetin personal të X anëtarit. Kjo është arsyeja pse disa parti politike, përmes portaleve dhe gazetave të tyre të pista, sulmojnë gjithmonë privatësinë e atyre që guxojnë të tërheqin vërejtjen për imoralitetin e tyre. Sot, imoraliteti njerëzor është më i përhapur në partitë politike, dhe si rregull – sa më shumë pushtet të ketë një parti, aq më shumë imoralitet ka brenda saj.

Ardhja në pushtet e partive politike në Kosovë është e pamundur pa lidhje të koalicioneve, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet dhe marrja e pushtetit të shihet kryekëput si një mundësi punësimi për militantët partiak. Koalicionet para dhe paszgjedhore nuk janë ndërtuar pothuajse kurrë mbi bazën e programit politik të prezentuar dhe legjitim, që do të bënte dallimin në mes partive politike, prandaj kjo ka bërë që koalicionet të dështojnë vazhdimisht, duke u përcjellur me qeverisje korruptive, nepotizëm, pasurime të shpejta e të dyshimta, mungesë të ndjekjes penale dhe premtime elektorale pa kurrfarë mbulese. Në këto rrethana, fuqia e qytetarëve është në faktin se iu mjafton të marrin një laps dhe të shkojnë për të votuar opcionet për ndryshim, në mënyrë që më vonë të mos merremi me pasoja më të mëdha.

Politika, drejtpërsëdrejti përmes ligjeve ose përmes veprimeve që i bën në një shoqëri, ka qenë gjithmonë ajo që përcakton dhe imponon me vendosmëri standardet morale dhe modelet e sjelljes së pranueshme në një komunitet. Politika thuajse rregullisht i jep vetës të drejtën për të devijuar nga standardet morale, po të njejtat që ua imponon  qytetarëve të tjerë. Është krijuar një klimë sociale që gjoja në politikë lejohen të gjitha mjetet, njëfarë makiavelizmi që është krejtësisht i kundërt me zakonet deklarative dhe formale që pjesa tjetër e botës duhet të ndjekë. Mënyra e punës “bëj si them unë, por mos bën çfarë bëj unë” është bërë një moto e aplikuar përgjithësisht nga shumica e politikanëve tek ne, bile duke mos i fajësuar thuajse askush për një sjellje të tillë. Megjithatë, pyetja që lind vetvetiu është nëse marrja me politikë duhet të nënkuptojë hipokrizi, moskonsekuencë, tradhëti, kamuflim, mashtrim…… apo përgjegjësi dhe llogaridhënie për lëshimet e dukshme në kryerjen e punëve shtetërore dhe politike tek ne?

Për mendimin tim, është e padiskutueshme që politika duhet të bazohet në parimin e moralit dhe të drejtësisë, sepse ajo është një veprimtari për arritjen e qëllimeve të dobishme shoqërore, të cilat kurrsesi nuk arrihen me veprime dhe sjellje të pamoralshme! Megjithatë, politika në botën e sotme gjithnjë e më shumë po bëhet mjet për suksesin e politikanëve për vete dhe për grupet e interesit që ata përfaqësojnë, e jo për suksese dhe përfitime në interes të përgjithshëm shoqëror. Udhëheqja politike po i trajton qytetarët, pra popullin, vetëm si një mjet për organizimin e jetës politike dhe vendimmarrjes gjoja demokratike.

Që nga Makiaveli, ka ekzistuar dilema nëse politika dhe morali janë gjëra krejtësisht të ndara që nuk shkojnë bashkë. Ndodh shpesh që individët në politikë, por edhe në jetën publike apo në vendin e punës të vuajnë dhe të kenë pasoja vetëm pse kanë ndjekur parimet e moralit, drejtësisë apo edhe respektimin me përpikëri të ligjeve aktuale. Këta njerëz bëhen viktima, në vend që të shpërblehen për insistimin në rregullësi dhe korrektësi! Pse duhet të jenë politika dhe politikanët e vetmja veprimtari, nëse e përjashtojmë krimin, që i jep vetes të drejtën e mungesës së moralit në punën e tyre? A do të thotë atëherë që edhe politika hyn apo përputhet me sferën e krimit dhe amoralitetit? Pse njerëzit e zakonshëm, punëtorë dhe intelektual, ua japin këtë të drejtë politikanëve, bile përmes votës dhe në mënyrë kinse demokratike e të lirë?! Pse vlerësohen si “të fortë” dhe “të zot” njerëzit që aplikojnë veprime të cilat janë larg të drejtës dhe moralit?  Vetëm në Ballkan mund të dëgjohet shpesh pretendimi se “ai është hajn, por është edhe njeri i mirë”. Cilat do të jenë frytet e politikës nëse ajo bazohet në veprime jomorale dhe të padrejta? Besoj që përgjigjja po dihet dhe realiteti i përditshëm po e tregon përgjigjen në këtë pyetje.

Pse, pra, u kërkohet subjekteve dhe personaliteteve politike të jenë të ndershëm, nëse vet politika zhvillohet dhe ushqehet nga veprime të pandershme? Për fat të keq, politika gjithnjë e më shumë drejtohet nga paratë dhe interesat e një grupi të ngushtë njerëzish, dhe jo nga interesi i përgjithshëm i njerëzve të zakonshëm, të cilët duhet t’i përfaqësojë. Më e habitshme bëhet kur shumë intelektualë, të cilët duhet të ngrenë zërin kundër kësaj dukurie të rrezikshme dhe anomalie shoqërore, në thelb nuk e bëjnë këtë detyrë, sepse duke u bërë pjesë e këtyre grupeve të interesit, ata pushojnë të jenë intelektual ose pjesa më e ngritur e popullit. E gjithë kjo ndryshon plotësisht marrëdhëniet shoqërore dhe sjell deri tek mbizotërimi i anti-vlerave, duke e konsideruar mashtruesin e pasur si “i fortë” dhe “i zoti”, ndërsa njerëzit e moralshëm dhe të drejtë, por jo të pasur – si të paaftë apo të mjerë. Kjo ka bërë që shumicës së popullit të zakonshëm, të ndershëm dhe që merret me problemet e veta, të mos i interesojë politika,  ta injorojë atë dhe të mos dal fare as në zgjedhje.

Po të ishte populli i rëndësishëm,  siç pretendojnë politikanët,  nuk do të vdisnin nga uria  qindra mijëra fëmijë në mbarë botën; nuk do të kishte luftëra dhe refugjatë që mbyten nëpër detëra e kufinjë; nuk do të kishte varfëri dhe të pastrehë anekënd botës; nuk do të ndodhte anomalia që 1 përqindëshi i më të pasurve në botë kanë grumbulluar dy herë më shumë pasuri se 90 përqind e tërë popullsisë globale (7 miliardë njerëz) etj. etj. Siç duket, vuajtjet e njerëzve po bëhen gjithnjë e më shumë një lloj ushqimi i pushtetarëve politik të botës. Ndoshta vlerësimin më të mirë në këtë aspekt sa i përket politikës dhe politikanëve, e ka dhënë Charles de Gaulle, gjenerali dhe Kryetari i Francës pas Luftës II Botërore, i cili degradimin e politikanëve në mesin e shekullit XX e ka komentuar në mënyrë ironike: “Politika është një çështje shumë serioze, për t’ua lënë në dorë politikanëve”.

Politika bashkëkohore shpesh fshihet pas moralit por edhe heq dorë nga morali, vetëm për t’u dukur e suksesshme. Në politikë çështja është “a mund të bëj çfarë dua?”, kurse në moral “a mund të bëj çfarë mundem?”, duke e bërë politikën art të zgjedhjes së të keqes më të vogël, ndërsa moralin art të zgjedhjes së të mirës më të madhe. Fundja, prej kohësh konsiderohet se morali dhe politika janë të pandara dhe se qëllimi i tyre është një jetë më e mirë për të gjithë.

Në planin afatgjatë, politika nuk mund të funksionoj pa besim, kusht ky që e plotëson vetëm ai që e ka ndërgjegjen e pastër dhe zërin e së vërtetës në vetvete. Në politikë janë të rëndësishme aftësia për të marrë një vendim që i përshtatet kohës dhe situatës, si dhe aftësia për të gjetur mjetet për zbatimin efektiv të atij vendimi. Në moral, është e rëndësishme të kombinohet respektimi i një vendimi me vendimmarrjen e ndërgjegjshme.

Vetëdijesimi i plotë na e mundëson të vlerësojmë moralisht veprimet tona dhe të njerëzve të tjerë, në përputhje me normat morale. Një person mund të ketë një mendim të lartë për sjelljen dhe moralin e vet, por këto duhet vlerësuar nga të tjerët. Një njeri imoral mashtrohet nëse mendon se pushteti politik, fuqia dhe pronat do t’i japin liri dhe personalitet. Ndonjëherë divergjenca e politikës ndaj moralit është e madhe dhe e dukshme. Morali vlen gjithmonë për të gjithë njerëzit.

Politikanëve tek ne zakonisht nuk iu interesojnë personaliteti dhe normat morale, bile i shohin si pengesa drejt “suksesit” politik. Por, nuk është e çuditshme kjo që nuk mendojnë për moralin, përderisa jetojnë në një shtet kaq të brishtë, nga i cili shumë njerëz duan të ikin e ku normat morale vërtetë ta kufizojnë sjelljen. Ata që falsifikojnë zgjedhjet apo blejnë vota për të dëmtuar kundërshtarët politikë, e rrezikojnë jo vetëm normën morale, por edhe vet themelet e shtetit. Ai që nuk zgjedh mënyrat për të rritur pasurinë dhe fuqinë e tij, a mund të shpërlahet moralisht duke ndihmuar p.sh.: partitë, institucionet e kulturës, sportin, duke u kujdesur për invalidët, të pastrehët etj.? Edhe pse nuk mund të presim që në Kosovë pikërisht një politikan të jetë shembulli për moral, a duhet qëndruar indiferentë ndaj pabarazisë, poshtërimit, shfrytëzimit, papunësisë, varfërisë, vuajtjes, regresit……?

Problemi është se qëllimet morale dhe politike shpesh kundërshtohen ndërmjet vete, vlerësimet janë shumë të ndryshme dhe në shumicën e rasteve sjellja morale zakonisht thyen kornizat politike, prandaj ka përgjegjësi morale dhe politike. Nga qytetarët pritet që edhe kur zgjedhin, t’i japin prioritet të mirës së përbashkët para të mirës personale. Në realitet, ka gjithmonë tensione midis interesave individuale dhe të përgjithshme dhe midis asaj që një individ e konsideron të mirë për vete dhe asaj që konsiderohet më e mirë për shoqërinë. Nëse një individ nuk vepron në përputhje me pritshmëritë e shoqërisë dhe normat morale, a duhet ta detyrojë shteti që ta bëj këtë? Sundimi i ligjit duhet legjitimuar vazhdimisht, meqë krijon bazën për marrëdhëniet morale, pra çdo çështje apo veprim matet në raport me drejtësinë dhe ligjshmërinë.

Në një botë ku suksesi synohet me çdo kusht, duhet guxim dhe mbështetje në disa standarde morale. Nëse pasuria dhe fama janë synimet e shumicës së njerëzve, a mund të pritet që ata që hyjnë në politikë të heqin dorë nga këto synime, pra të sillen si shenjtorë? Rregullat morale nuk janë vetëm kufizuese, por edhe të dëshirueshme, sepse kur njerëzit do të pranonin të heqin dorë nga normat morale, ata në fakt kanë hequr dorë nga e ardhmja e tyre.

***

E enjte, tregu në qytetin tim vazhdon me ritmin e vet monoton, me njerëz që blejnë e shesin ndonjë gjë, të lodhur nga hallet dhe situata, ndërsa tyxharët fërkojnë duart me një nënqeshje mospërfillëse!