Presidenti francez Emmanuel Macron e ka vizituar kombëtaren e Francës në qendrën stërvitore të Clairefontaine, duke u dhënë një mesazh motivues lojtarëve dhe stafit teknik përpara sfidave të ardhshme drejt Botërorit 2026.
Gjatë takimit me futbollistët e drejtuar nga Didier Deschamps, Macron e shprehu besimin e plotë te skuadra dhe i inkurajoi “Gjelat” ta synojnë fitimin e Kupës së Botës, që do t’ia sillte Francës yllin e tretë në fanellë.
“Besoj tek ju. Shkoni dhe fitoni yllin e tretë”, ishte mesazhi i presidentit francez për ekipin kombëtar, përcjell “Gazeta Express”.
Vizita u zhvillua në Clairefontaine, qendra historike e kombëtares franceze, ku Macron u shoqërua edhe nga bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.
Presidenti i përshëndeti lojtarët dhe stafin, duke i inkurajuar për rrugëtimin drejt suksesit në skenën ndërkombëtare.
Franca është një nga favoritët kryesorë për triumfin në Botërorin 2026.
Kampionët e botës të vitit 2018 dhe finalistët e edicionit 2022 synojnë të rikthehen në majën e futbollit botëror nën drejtimin e Deschamps.
“Les Bleus” aktualisht kanë dy yje në fanellë, të fituar pas triumfeve në Kupën e Botës 1998 dhe 2018.
Një sukses në Botërorin e ardhshëm do t’ia siguronte Francës titullin e tretë botëror në histori.
Vizita e Macronit u interpretua si një shenjë e mbështetjes së institucioneve franceze për kombëtaren, e cila vazhdon të mbetet një nga ekipet më të forta në futbollin ndërkombëtar. /Gazeta Express