Lutfi Haziri nga LDK-ja në ”Click” të RTV21 ka vënë në pikëpyetje nëse partia e tij do t’i përgjigjet një ftese të mundshme për takim nga kryeministri Albin Kurti deri më 27 prill, duke theksuar se çdo ftesë duhet të jetë serioze dhe bindëse.
Haziri tha se nuk është e qartë pse opinioni publik po mbahet me pritshmëri për një takim që ende nuk është konkretizuar.
“Nuk e di cila është arsyeja që me lon publikun në shpresë që ka me ndodh një takim. Ai mundet me ndodh sonte, nata është e gjatë, e lere më java që është e gjatë,” u shpreh ai.
Sipas tij, një ftesë e tillë duhet të ketë përmbajtje të qartë dhe të jetë e pranueshme për LDK-në dhe për liderin e saj Lumir Abdixhiku.
“Duhet me qenë ftesa bindëse për Abdixhikun, sepse të gjitha gjërat janë sqaruar,” tha Haziri.
Ai shtoi se ditët e fundit, sipas tij, kryeministri Kurti ka qenë më shumë në shpjegime publike sesa në veprime konkrete politike.
“Këto ditë Kurti vetëm po arsyeton para gazetarëve, iu ka ikur fokusi,” deklaroi Haziri.