‘Lufta e ftohtë’ për vaksinën kundër Covid-19 - Gazeta Express
string(43) "lufta-e-ftohte-per-vaksinen-kunder-covid-19"

‘Lufta e ftohtë’ për vaksinën kundër Covid-19

Gazeta Express

15/08/2020 18:37

Do të merret vesh shpejt a është vaksina Sputnik V e ngjashme me lajmin e vërtetë të Sputnik I, të satelitit sovjetik, apo i rri afër Agjencisë ruse të lajmeve Sputnik që njihet për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Të martën e kaluar, me 11 gusht pra, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dha kumtin më të rëndësishëm të këtij viti, teksa pakkush në Botë u entuziazmua me te.

E gjithë Bota e pret këtë lajm, i cili do të duhej ta kthente mbarë këtë Rruzullin Tokësor dhe ta ri-bënte atë normalitetin  (i cili nuk ka qenë fare i tillë, realisht, sepse po të ishte, nuk do të zhbëhej aq lehtë), i cili u bë shkrumb dhe hi pasi Covid-19 u bë ‘Rendi i ri vendor dhe ndërkombëtar’, të cilit i nënshtrohen të gjitha shtetet dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, të gjitha kombet dhe të gjithë qytetarët.

Ky virus është fenomen i paparë, mbase në gjithë historinë e njerëzimit. Nuk ka ndodhur që njëkohësisht, në të katër anët e Botës, të shënohet një dukuri e njëjtë që ka pasoja të këtilla shkatërrimtare për ekonominë dhe mirëqenien e të gjithëve, dhe që ka marrë aq shumë jetë njerëzish.

Çka nuk ka pësuar njerëzimi në të kaluarën: Luftëra shkatërrimtare, të cilat janë kualifikuar si botërore, sëmundje të rënda vdekjeprurëse, tragjedi të ndryshme natyrore. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që një e keqe (e padukshme, përndryshe), të jetë aq gjithëpërfshirëse, apo, të ketë një shtrirje që njeh gjithë Botën e lume.

Një e keqe e kësisojt, totale pra, nuk ka si të margjinalizohet një herë, pastaj, edhe të tejkalohet, pa zbulimin e vaksinës.

Nuk ka rrugë tjetër, për të dalë nga ky qorrsokak përmasash të papara.

Për këtë shkak, kushdo që do të mbërrijë ta shënojë këtë depërtim të madh mjekësor dhe shkencor, i cili duket që do të ketë edhe karakter të mirëfilltë politik dhe ekonomik  (kur dihet çfarë dëme na ka shkaktuar të gjithëve), madje, edhe teologjik  (me atë dimensionin shpëtimtar të këtij zbulimi), ai do të njihet si një lloj i heroit i të gjithë njerëzimit.

Dihen pretendentët në të katër anët e Botës për të mbërri tek vaksina kundër Covid-19, e cila duhet t’i ketë pashmangshëm disa tipare: Të jetë e suksesshme, efikase, e sigurtë, pa dëme për organizmin e Njeriut.

Por ja që Presidenti i Rusisë, Putin, sipas të gjitha gjasave, ende pa i përmbushur këto veçori, me një synim të tij të vazhdueshëm, që prej se njëzet vjet më parë u bë Presidenti i Rusisë, për ta mëkëmbur atë fuqinë, ndikimin dhe rrezatimin ndërkombëtar të Bashkimit Sovjetik, vendosi ta shpallë zbulimin e vaksinës dhe çlirimin  (me këtë vaksinë), të të gjitha ’territoreve të okupuara’ prej Coronavirusi.

Për këtë shkak, nuk është aspak e papritur që Putin e emëroi si Sputnik V, këtë vaksinë, për ta bërë kështu Moskën e sotme, ngadhnjimtare në fushën e imunologjisë, njëlloj sikurse Sputnik I, duke qenë sateliti i parë artificial në orbitën e Tokës, në vitin 1957, pati shënuar një fitore të madhe të Moskës së atëhershme, në pushtimin e Gjithësisë.

Ndryshe, domethënia e fjalës Sputnik është: ’Bashkëudhëtar’.

Dihet që Sputnik I, pati shokuar SHBA-në e asaj kohe, e cila ishte e përfshirë në një garë të madhe, në mes të dy superfuqive, e cila nënkuptonte përplasjen e pakursyer të Washingtonit dhe Moskës në të gjitha fushat e mundshme, në ato botëkuptimore, ideologjike, luftarake, atomike, shkencore, kulturore, qytetëruese.

Ishte kjo, asokohe, një fitore e pastër e Bashkimit Sovjetik në Gjithësi.

Pa te, Amerika kur nuk do ta kërkonte kundërpërgjigjen në formë të Projektit Apollo dhe të zbarkimit të Njeriut në Hënë, në vitin 1969.

Neil Armstrong la fjalë të paharrueshme kur zbriti në Hënë duke thënë: ’Ky është një hap i vogël për Njeriun dhe hap i madh për njerëzimin…’.

Dhe ishte një hap final i fitores së SHBA-së në luftën në Gjithësi me Bashkimin Sovjetik.

Sidoqoftë, tash e sa vjet, Sputnik në Ballkan, në Evropë dhe në Perëndim, njihet si emër i një Agjencie lajmesh ruse, qëllimi kryesor i të së cilës është të përhapë lajme të rreme, të krijojë konfuzion sa më shumë që është e mundur, dhe ta mbajë gjallë atë iluzionin Putinian që Rusia e sotme është në rrugë të drejtë për ta rimmarë rolin që dikur e kishte Bashkimi Sovjetik dhe Komunizmi.

Sputnik I ishte arritje e vërtetë, e madhe, befasuese  (për SHBA-në dhe Perëndimin) e Bashkimit Sovjetik. Ishte një reflektim i një fuqie reale në shkencë dhe në politikë e Moskës zyrtare.

Sputnik V, nga pikëshikimi shkencor, kulturor dhe qytetërus në Evropë dhe në SHBA, i shkon shumë më tepër agjencisë së lajmeve me po këtë emër, se sa atij sateliti artificial të vitit 1957.

Perëndimi i sotëm nuk ka si t’i besojë Rusisë së Vladimir Putinit, kur ky inauguron zbulimin e vaksinës mbrojtëse ndaj Covid-19, dhe kur (madje) thotë që edhe vajza e tij e ka marrë ate  (në konfirmin të sugurisë së saj).

Poqëse do të ndodhë e kundërta, apo, nëse do të del që njëmend Rusia ka mbërri atë çfarë në Gjithësi kishte bërë me Sputnik I, ky do të ishte një sukses i madh i Putinit në këtë përpjekjen e tij të vazhdueshme për karshillëk ndaj Perëndimit, dhe madje, për fitore ndaj tij, qoftë edhe në një segment të veçantë (por tej mase të rëndësishëm), çfarë është ky i këtij dyluftimi, ’për jetë a vdekje’, me Covid-19.

Demokracia parlamentare dhe shkenca mjekësore  (në kërkim të zbulimit të vaksinës), kanë çuditërisht ngjashmëri të madhe: Në te dy rastet duhet respektuar prej fillimit deri në fund procedurat dhe protokollet, për të mbërri te një rezultat final.

Ta zëmë, tash e sa kohë të gjithë ne kemi mësuar që janë tri faza të testimit të efikasitetit dhe të sigurisë së një vaksine. Nuk mund të mos respektohet në tërësi ky tre-hapësh për ta garantuar një vaksinë.

Njëlloj si në mënyrën si e ka organizuar pushtetin e tij, me ’lidhje të shkurtëra’  (dhe pas respektim procedurash), duket që Putin ia ka bërë edhe me zbulimin e vaksinës.

Ai natyrisht e di që Botës po i ngutet në këtë garë të madhe, të paparë në historinë e re të njerëzimit, prandaj dëshiron të mbërri në cak i pari, nëse jo në mënyrë të vërtetë, siç kishte ndodhë me Sputnik I, atëherë, me një iluzion apo mashtrim, siç po bëhet me Sputnik agjencinë.

Do të mirret vesh shpejt, me gjasë, për pak javë, çfarë ka ndodhë me këtë vaksinën ruse.

Realisht, dëmi prej saj, megjithatë, është shumë më i vogël, se sa prej atij naracioni mashtrues të Kinës me Wuhanin, i cili e mori në qafë gjithë Botën e lume gjatë vitit 2020.

Ky zatën është problemi i vërtetë i sotëm i Perëndimit me Lindjen. Jo vaksina e Vladimiur Putinit.