LSDM-ja do të kërkojë hetim për të zbuluar se kush qëndron prapa mediave, telekomunikacioneve, kredive, infrastrukturës dhe të gjitha vendimeve të marra në emër të qytetarëve, e që lidhen me kombinime biznesi mes ish-kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, dhe atij të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski. Lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, theksoi se partia po punon për zbulimin e veprimeve kriminale dhe korruptive.
“Qytetarët duhet të dinë saktësisht se kush qëndron prapa mediave, telekomunikacioneve, kredive, infrastrukturës dhe të gjitha vendimeve që janë marrë në emër të tyre. LSDM-ja do të kërkojë hetim të plotë për të gjitha kombinimet e biznesit mes Viktor Orbanit dhe Hristijan Mickoskit. Ekipi antikorrupsion i partisë tashmë po punon në mënyrë intensive për zbulimin e të gjitha veprimeve kriminale dhe korruptive të regjimit, të korrupsionit në tenderë nga VMRO dhe të grupit të organizuar kriminal, me në krye Hristijan Mickoskini. Po vjen koha për të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski tha se opozitarja LSDM jeton në botën e çudirave.
“LSDM-ja në periudhën e kaluar jeton sipas si “Lisa në botën e çudirave”. Unë këtë më tepër do ta klasifikoja si ‘LSDM– vendi i gënjeshtrave dhe konstruktimeve’. Gjatë vitit të kaluar, po ju rikujtoj, LSDM-ja thoshte se shteti do të falimentonte- nuk falimentuam, përkundrazi, e përfunduam vitin me një nga pesë rezultatet më të mira ekonomike në Evropë sipas rritjes së Prodhimit Bruto Vendor. Pastaj e mashtronin opinionin se në muajin prill do të vinin emigrantë – ja ku jemi në prill dhe unë ende nuk kam parë emigrantë në Maqedoni”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndërkohë kryeministri Mickoski me një ditë vonesë e uroi mandatarin e ardhshëm të Hungarisë, Magjar. Ai tha se pret vazhdimin e bashkëpunimit me autoritetet hungareze, pavarësisht rrëzimit nga pushteti të aleatit të tij Viktor Orban./Alsat.mk.
tag_katrorimaqedoni_2