Një debat i ashpër publik ka shpërthyer në futbollin kosovar, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin e garës në Superligë.
Zëvendëspresidenti i FC Ballkani, Bali Kabashi, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të ndeshjes mes FC Drita dhe KF Llapi, duke pretenduar se rezultati i saj është i paracaktuar.
“Dihet kush e fiton, lojë e shitur!”, është shprehur Kabashi në një postim të emisionit Kampionët, deklaratë që ka nxitur reagime të menjëhershme në opinionin sportiv.
Nuk ka vonuar përgjigjja nga Amrush Batatina, ish-udhëheqës i Llapit, i cili i është kundërpërgjigjur ashpër Kabashit duke rikthyer akuza nga e kaluara.
“A të kujtohet kur shitshe ti i nderuar?”, ka thënë Batatina, duke e përshkallëzuar edhe më tej situatën.
Ky shkëmbim akuzash publike mes figurave të larta të klubeve të Superligës konsiderohet i paprecedentë në historinë e futbollit kosovar. Kurrë më parë nuk është parë që drejtues të klubeve të akuzojnë njëri-tjetrin hapur për trukim të ndeshjeve.
