Në një kohë kur në Kosovë është në zhvillim fushata zgjedhore, Lista Serbe, një subjekt politik i cili është dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme si i dirigjuar dhe financuar drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë, po organizon evenimente kulturore me përmbajtje dhe simbolikë të theksuar politike e historike, të cilat kanë karakter provokues për shoqërinë dhe kujtesën kolektive të popullit shqiptar, raporton EkonomiaOnline.
Një nga këto ngjarje është koncerti i paralajmëruar për datën 8 tetor në Mitrovicën e Veriut, ku do të performojë këngëtarja Angjella Ignjatoviq e njohur si ‘Breskvica’, një nga interpretueset e këngës shumë të kontestuar “Gnezdo orlovo” (Foleja e shqiponjës) – një këngë që u propozua të përfaqësojë Serbinë në Eurovision 2024, por që përmban mesazhe të koduara për rikthimin e Serbisë në Kosovë dhe përkrahje të narrativës së gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të axhendës së saj politike:
“Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut”
“Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe.”
Kënga “Gnezdo orlovo”, e cila u paraqit si pretendente për të përfaqësuar Serbinë në Eurovision, është interpretuar nga ‘Breskvica’, por prapa saj qëndrojnë autorë që kanë krijuar një narrativë të rrezikshme dhe të kamufluar brenda vargjeve poetike.
Në tekstin e këngës, hasen vargje që në mënyrë alegorike përshkruajnë shqiptarët si “zogj të zinj”, Kosovën si “foleja e shqiponjës” e cila shkatërrohet nga forca natyrore (e cila nënkupton ndërhyrjen ushtarake), dhe rikthimi i “qenies së ndritur” që përfaqëson ushtrinë serbe që vjen ta “çlirojë” territorin.
Pjesë të tekstit dhe nënkuptimet e tij:
“Një re gri fsheh qiellin, përsëri zogjtë e zinj”
(Zogjtë e zinj interpretohen si shqiptarët)
“Bie bubullima, bie shi, breshër dhe shkatërron folenë e shqiponjës”
(Foleja e shqiponjës = Kosova; Shkatërrimi nënkupton intervenim ushtarak)
“Babi i thotë shqiponjës së vogël ‘do të kalojë birë’. Do të ikin zogjtë e zinj, qenia e ndritur vjen përsëri”
(Mesazh i qartë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe largimin e shqiptarëve)
Tentativa që një këngë e tillë të përfaqësojë Serbinë në një skenë ndërkombëtare si Eurovisioni u cilësua jo vetëm provokim politik, por edhe përpjekje për të rehabilituar narrativat kriminale të së kaluarës.
Përveç mbështetjes së hapur nga strukturat politike në Serbi, ‘Breskvica’ dhe kënga e saj janë promovuar gjerësisht edhe nga mediat shtetërore dhe ato të kontrolluara nga Kremlini, përfshirë Russia Today (RT Balkan), e cila publikoi një artikull me titullin “Kosovska bitka za Evroviziju” (“Beteja e Kosovës për Eurovision”), ku kjo këngë u paraqit si simbol i “krenarisë kombëtare” dhe “luftës për afirmim të Serbisë”. Ky promovim në media me orientim të qartë propagandistik tregon përpjekjen e koordinuar midis kanaleve të ndikimit rus dhe atyre serbe për të instrumentalizuar artin dhe kulturën në funksion të narrativave politike dhe historike kundër Kosovës.
Në një deklaratë për mediat ajo deklaroj:
“Kënga është e shkëlqyer dhe është historike. Përfaqëson popullin tonë dhe historinë tonë. Ka një melodi tipike serbe brenda… Nuk më pëlqen që flitet në atë mënyrë për këtë temë.”
Pavarësisht valës së kritikave dhe thirrjeve për përjashtimin e këngës nga gara, autorët nuk kanë ndërmend të ndryshojnë tekstin:
“Për të tani lidhet një politikë për të cilën nuk kemi menduar fare. Prandaj nuk kemi menduar as për ta ndryshuar këngën.”
Miroslav Paroviq, kryetar i Lëvizjes për Liri Popullore joparlamentare, tha se e gjithë historia rreth ‘Breskvicës’ dhe këngës së saj është një histori e sajuar qëllimisht për të bërë një luftë virtuale për Kosovën.
Ai shpjegoi se këndvështrimi i tij për shpalljen e takimit është vetëm një vazhdim dhe përforcim i komponentit mitik në të cilin “ne serbët” e përfaqësuar nga ‘Breskvica’ në këtë kontekst fitojmë në fushën e betejës, që në këtë rast përfaqëson votën e audiencës, por në fund humbet në tryezën e gjelbër, e cila në këtë kuadër përfshin edhe votën e jurisë së ekspertëve.
“Në thelb, një lojë klasike e shërbimit serb BIA”, tha ai.