Raportimet e fundit në mediat amerikane kanë ngritur pikëpyetje rreth marrëdhënies mes LeBron James dhe drejtueses së Los Angeles Lakers, Jeanie Buss.
Një artikull i publikuar nga ESPN, përmes gazetarit Baxter Holmes, pretendonte se Buss kishte shprehur pakënaqësi ndaj superyllit të ekipit, duke përmendur mungesë mirënjohjeje dhe një “ego të tepruar”, madje duke sugjeruar se në vitin 2022 ishte shqyrtuar edhe mundësia e një transferimi të James te rivalët lokalë, Los Angeles Clippers.
Megjithatë, Buss i ka mohuar këto pretendime, sipas raportimeve të Sam Amick nga The Athletic. Pavarësisht kësaj, tema u rikthye në qendër të vëmendjes pas humbjes së Lakers 112–104 ndaj Clippers, kur LeBron u pyet drejtpërdrejt për raportin e ESPN-së.
Në parket, 41-vjeçari zhvilloi një ndeshje solide me 23 pikë, 5 kërcime, 6 asistime dhe 2 vjedhje topi, por konferenca pas ndeshjes mori vëmendjen kryesore. James reagoi me tone të forta, duke minimizuar rëndësinë e raportimeve mediatike.
“Sinçerisht, nuk merrem me artikujt apo raportet. Nuk më interesojnë historitë, podcastet apo se si ndihen të tjerët për mua. Ata që më njohin personalisht, e dinë kush jam,” u shpreh LeBron.
Ai foli gjithashtu për arsyen pse iu bashkua Lakers në vitin 2018, duke theksuar se qëllimi i tij ishte rikthimi i lavdisë së klubit historik.
“Kur erdha këtu, mendësia ime ishte të riktheja ekselencën. Dhe ia dolëm, duke fituar një kampionat. Kjo ka qenë gjithmonë qasja ime,” deklaroi James, duke iu referuar titullit të NBA-së të fituar në sezonin 2019/20.
Pavarësisht suksesit, periudha e tij te Lakers ka qenë shpesh nën lupën e kritikëve, me eliminime të hershme në “playoffs” dhe sezone të vështira. Aktualisht, LeBron ndodhet në vitin e dytë të kontratës dyvjeçare prej 101 milionë dollarësh dhe pritet të bëhet lojtar i lirë në verën e vitit 2026, çka vazhdon të ushqejë spekulimet për të ardhmen e tij.
Duke folur për marrëdhënien me Jeanie Buss, James hodhi poshtë idenë e ndonjë përçarjeje.
“Marrëdhënia ka qenë gjithmonë me respekt të ndërsjellë. E kam përfaqësuar këtë klub me nder dhe dinjitet. Mos e bëni diçka më të madhe seç është,” tha ai.
Në fund, LeBron e mbylli me një koment ironik, duke iu referuar mbishkrimit në bluzën e tij:
“Të gjithë janë të çmendur.”
Një deklaratë që përmbledh qartë qëndrimin e yllit të Lakers ndaj zhurmës mediatike që vazhdon ta shoqërojë prej vitesh. /GazetaExpress