LeBron dhe Davies udhëheqin Lakers, Phoenix Suns në “top formë” - Gazeta Express

Basketboll

Gazeta Express

16/05/2021 12:15

LeBron dhe Davies udhëheqin Lakers, Phoenix Suns në “top formë”

Basketboll

Gazeta Express

16/05/2021 12:15

Los Angeles Lakers rigjen më në fund dyshen LeBron James dhe Anthony Davies, të cilët udhëhoqën skuadrën kaliforniane drejt suksesit 122-115 në transfertën ndaj Indiana Pacers dhe rritën ndjeshëm shanset për një vend direkt në zonën Play Off të renditjes.

Dyshja që u ka munguar jo pak kampionëve në fuqi të NBA-it gjatë këtij sezoni, u shfaqën në një formë të jashtëzakonshme, sidomos në fraksionin e parë të lojës, ku u vendos edhe rezultati final. Kjo pasi Lakers fituan pjesën e parë me shifrat 36-28, ndërsa fraksioni i dytë dhe i tretë përfunduan në barazim.

Vendasit e Indianës treguan një superioritet shumë të vogël në pjesën e fundit, por rikuperuan vetëm një pikë nga disavantazhi, duke mos ia dalë të shmangin humbjen.

Anthony Davies u shpall më i miri i ndeshjes me 28 pikë të shënuara, 10 topa të rikuperuar dhe 5 asiste, ndërsa edhe LeBron te Lakers e LeVert te Indiana vendosën shifra mjaft të mira.

Phoenix Suns vijon të besojë se mund të marrë kryesimin në Konferencën e Perëndimit, teksa këtë mbrëmje ka marrë një tjetër fitore bindëse, me rezultatin e thellë 103-140 në transfertën ndaj San Antonio Spurs.

Gjithçka u vendos në gjysmën e parë të ndeshjes, pasi Suns fituan fraksionin e parë me shifrat 34-17 dhe të dytin 41-23, duke siguruar një avantazh prej 42 pikësh, çka i lejoi që të ulin disi ritmin në pjesën e mbetur të lojës.

Një tjetër fakt interesant është se plot 7 lojtarë të Phoenix ia dolën të shkonin në kuotën dyshifrore të pikëve të shënuara, teksa protagonist absolut ishte Booker me 28 pikë, ndërsa Chris Paul nuk shkoi dot përtej 16 pikëve dhe 10 topave të rikuperuar.

Brooklyn Nets rigjen “Big Three” (Irving, Durant e Harden) pas shumë kohësh dhe regjistron fitoren e katërt radhazi, këtë herë me rezultatin 105-91 në shtëpi ndaj Chicago Bulls, duke forcuar pozitat në vendin e dytë renditjes në Konferenën e Lindjes. Nets ia dolën të fitojnë veçanërisht falë paraqitjeve mjaft të mira në fraksionin e dytë dhe të katërt, ndërsa Chicago bie sërish pavarësisht formës së mirë të Patrick Williams dhe avantazhit fillestar 12-0 që në nisje të ndeshjes.