Nëna ime është nëna ime, por bashkëshortja ime është edhe nëna e fëmijëve të mi. Bashkëshorten time e kam zgjedhur për të krijuar familje, me vetëdije të plotë, me paramendim dhe plotësisht i dashuruar. Për lindjen nuk kisha vendosur unë, ashtu si as fëmijët e mi. Fëmijët nuk i kemi sjellë në këtë botë sepse ata dëshironin, por sepse ne kemi dashur. Meqenëse është kështu dhe nuk mund të kundërshtohet, atëherë nuk mund t’ua shesim jetën e pakërkuar dhe të kërkojmë prej tyre dëmshpërblim! Si prind e kemi për detyrë t’i rrisim dhe mundësisht t’i ndihmojmë në fillimin e jetës së pavarur!
Shkruan: Lis Bukuroca
„Tradita është metodë, që duhet të pengojë fëmijët të mos bëhen më të mirë se prindërit!“ Ephrain Kishon
Po mbaja një seminar për refugjatë dhe si temë kisha: „Familja në rendin demokratik.“ Kisha shkruar 12 tema për 12 kurse informative, të cilat duhej të ndihmonin dhe lehtësonin integrimin e tyre në shoqërinë gjermane.
Domosdoshmërinë e barazisë së vajzave dhe grave, (jo të femrave, femër është termë poshtërues, tregon kryesisht gjininë, femra ka edhe te kafshët), e arsyetoja dhe përligjja me lumturinë që fiton familja dhe, shumë familje të lumtura, krijonin një komb paqësor, punëtor dhe të lumtur! Se kur në familje nuk kishte diskriminim, diskriminimi dhe padrejtësia nuk do të jenë të pranishme aq shumë as në shoqëri, rrjedhimisht në administratë.
Të gjitha statistikat tregonin sesa më i fuqishëm shteti ligjor, sa më të barabartë njerëzit në mes vete, sa më të lirë për të marrë vet vendime, edhe për dashuri, sa më të sigurt me vendin e punës, lumturia ishte më e madhe dhe, zakonisht, në vendet e para ishin dhe janë vendet skandinave.
Psikologët socialë kishin ardhur në përfundim se tre faktorë kryesorë, në mes dhjetëra tjerë, përcaktonin lumturinë tonë: „Lieben, Haben dhe Sein.“ Domethënë me Dashtë, me Pasë dhe me Qenë. Ose, dashuria, puna dhe shëndeti. Shëndeti nuk gjendet në vendin e parë? Jo, por arsyetimi ishte i thjeshtë: me shëndet të mirë në një vend të pa shpresa, të shkretë ku ka korrupsion, krim, administratë formale, nuk arrihet te lumturia, pos kriminelëve që përfitojnë nga ajo gjendje.
Gjermania kishte arritur këtë zhvillim të madh ekonomik dhe mbahej vertikalisht nga diku 20 milion gra që punojnë dhe 23 milionë burra. Nëse atyre grave u mohohet e drejta e shkollimit, e lirisë, e barazisë, e punës, atëherë shembet përdhe ekonomia gjermane! Kur diskriminohen gratë, dëmtohet lumturia kolektive e një kombi, respektivisht përparimi! Këto janë fakte!
Pasi e arsyetoja me shumë shembuj se pabarazia gjinore në shtëpi mundëson dhe favorizon edhe shtetin e korruptuar, shtetin fisnor, tendencën drejtë autokracisë, sepse padrejtësia përligjet në shtëpi nga patriarku dhe ne rritemi e stërvitemi duke diskriminuar gratë tona, motrat tona dhe nënat tona!
Ne nuk diskriminojmë të huajt, sepse nuk guxojmë, apo pse nuk kemi mundësi, por i diskriminojmë njerëzi më të dashur në jetë, njerëzit që duhet t’i duam! Edhe atë, më të dobëtit se ne! Ata që i kemi zënë pisk në shtëpi dhe që varen prej nesh: poshtërim për krenari të rrejshme!
Në pushim një koleg nga Tunizia më shtroi këtë pyetje, të cilën pastaj ua shtrova edhe pjesëmarrësve:
“Një gjarpër ka helmuar nënën dhe bashkëshorten tënde. Ti ke me vete vetëm një pilulë, që do të shpëtonte vetëm njërën. Tjetra do të vdiste! Cilës do t’ia jepje?”
„Bashkëshortes!“, i thash pa menduar.
U habita vetë me përgjigjen time dhe dëshiroja të kuptoj arsyen. Për një çast më ra ndërmend jeta më e gjatë e nënës për gati 30 vjet.
„Bashkëshorte mund të gjesh kurdo dhe kudo“, më ndërpreu në mendime ai, „por jo nënë!“
Ja si e arsyetova unë vendimin për atë rrëfim hipotetik:
Nëna ime është nëna ime, por bashkëshortja ime është edhe nëna e fëmijëve të mi. Bashkëshorten time e kam zgjedhur për të krijuar familje, me vetëdije të plotë, me paramendim dhe plotësisht i dashuruar. Për lindjen nuk kisha vendosur unë, ashtu si as fëmijët e mi. Fëmijët nuk i kemi sjellë në këtë botë sepse ata dëshironin, por sepse ne kemi dashur. Meqenëse është kështu dhe nuk mund të kundërshtohet, atëherë nuk mund t’ua shesim jetën e pakërkuar dhe të kërkojmë prej tyre dëmshpërblim! Si prind e kemi për detyrë t’i rrisim dhe mundësisht t’i ndihmojmë në fillimin e jetës së pavarur!
E dyta, është normale që prindërit të vdesin para fëmijëve, edhe prindërit tanë para neve, edhe në rastin tonë, edhe nëna ime* para bashkëshortes sime, si edhe ne para fëmijëve tanë.
E treta, dhe kryesorja, si mund të shfaqem para fëmijëve të mi dhe t’u them: „Fëmijë të dashur, më vjen keq, por unë shpëtova nënën time, por me vetëdije të plotë, mundësova vdekjen e mamit tuaj dhe të bashkëshortes time!“ Ajo pak para vdekjes më tha: „Përqafoi fëmijët dhe thuaju se i dua shumë!“
Atëherë unë ose do të isha fëmijë më i madh se fëmijët e mi, ose dëshiroja në mënyrë më elegante mënjanim e bashkëshortes, ose nuk e dashuroja fare!
Në sallë gjendeshin rreth njëzet veta, asnjë nuk u pajtua me mendimin tim. Arsyetimi i tyre ishte i njëjtë:
“Nuse gjen kudo, por nënë askund!“
Përgjigja ime ishte kjo: „ As bashkëshorten që e kam tani, nuk mund ta gjejë askund sepse nuk ekzistojnë dy kopje!“
Të tilla janë përafërsisht shpjegimet e kulturave kolektiviste, ku gati asgjë me vlerë nuk prodhohet! Ku edhe bashkëshortësia nuk është pasojë e dashurisë, por shpesh vendim i prindërve. Pakica në botë është individualiste dhe janë kryesisht vendet perëndimore. Aty kultivohet individualizmi dhe nuk thonë „e martuam djalin“, si në kolektivizëm, por „djali u martua!“ Në njërën shoqëri djali i takon vetvetes, tek tjetra, djali takon familjes! Öshtö pronë!
Të gjykuarit e tillë bën pjesë në injorancën pluralistike. Ata besojnë se shumica pret të mendojnë si ai, por kur dolëm jashtë, gati gjysma ndryshuan mendimet. Pra, në grup, mendonin si shumica: e asimiluan vetëdijen dhe përkapjen por t’u mos shkëputur nga turma, nga grupi; se prishen, apo pse humbet fytyra: mungesa e guximit për të ekzistuar edhe vet! Për të mbetur kopje të prindërve në një epokë tjetër! Ndoshta e prindërve, që nuk kishin ditur as shkrim-lexim dhe që kishin pasur kushtetuta primitive ose fare!
Në kultura kolektiviste edukata ka përmasa manipulimi dhe bëhet çdo gjë e mundur për t’u robëruar fëmija dhe ai mësohet të çmojë më shumë prindërit se bashkëshorten, apo bashkëshortin, sepse në një farë mënyre dashuria ose konsiderohet tradhti, ose kurvëri, ose dobësi! Në anën tjetër, në shoqërinë individualiste prindërit i gëzohen dashurisë së fëmijëve të tyre. Përvoja duhet bërë para martesës, e jo pas saj!
Tani pyetja, e duam nënën më shumë, apo bashkëshorten, atin apo burrin?
E duam bashkëshorten, por nuk duhet ta themi me zët të lartë! Jini të sigurt se asnjë grua nuk i pëlqen të shohë burrin aq të varur nga nëna dhe të kapur për fustanin e saj edhe si të rritur. Natyrisht se nuk e përjetojnë mirë as burrat kur gratë e shndërrojnë të atin në idhull dhe mburren me të. Burri dhe gruaja një krenari të tillë të partnerit ose partneres mund ta përjetojnë si degradim ose mungesë dashurie! Po cilën e duam më shumë?
Bashkëshorten! Pse? Sepse është logjike. Sepse dallimi qëndron në esencë! Sepse një njeri të cilin e duam, nuk do ta braktisnim kurrë! Sepse me të kemi sjellë fëmijë në botë dhe ata fëmijë që i kemi me një grua tjetër nuk do t’ishin ata. Nga prindërit mezi presim të ikim. Jo të gjithë, por kur jemi jashtë, jemi rritur! Prandaj ikim nga shtëpia dhe është veprim i natyrshëm! Pa një njeri që e dashurojmë, mundet, por është shumë traumatizuese. Kjo domethënë se bashkëshorten e duam dhe e dashurojmë, nënën e duam vetëm!
„Unë të dua“, është normale t’u thuhet njerëzve që i duam, por jo „unë të dashuroj“, sepse folja „dashuroj“ ka gati gjithmonë vetëm kuptimin emocional, seksual, kurse jo substantivi „dashuri!“