Presidenti i zgjedhur i Barcelonës, Joan Laporta, ka ulur pritshmëritë për shpenzime të mëdha në tregun e transferimeve këtë verë.
Blaugranasit kanë lënë të kuptohet se këtë verë do të rikthehen për herë të parë pas tre vitesh te rregulli i ashtuquajtur “1:1”, megjithatë Laporta ka theksuar se kjo nuk do të thotë se po vjen një shpenzim i madh në merkato.
Gjatë dy sezoneve të fundit, Barcelona ka regjistruar një fitim neto prej 10 milionë eurosh në tregun e transferimeve, me Joan García dhe Dani Olmo si përforcimet kryesore që kanë ardhur.
Me largimin e Robert Lewandowskit tashmë të konfirmuar, klubi katalanas pritet të sjellë një sulmues cilësor për ta zëvendësuar atë.
Duke folur para eventit bamirës të golfit “Koeman Cup”, Laporta shpjegoi se klubi do të ndjekë në mënyrë strikte planet e drejtorit sportiv Deco.
“Të jesh brenda rregullit 1:1 është pozitive, por kjo nuk do të thotë se do të çmendemi apo do të shpenzojmë pa kontroll. Do të zbatojmë gjithçka që thotë Deco. Ai ka treguar se i bën gjërat mirë dhe ne duhet ta lëmë të punojë,” tha ai për “MD”.
“[Qëllimi do të jetë] të përforcohen pozicionet specifike që Deco dhe Flick i kanë studiuar.”
Një nga emrat që është lidhur shpesh me Barcelonën që nga rikthimi i Laportës në presidencë është sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland.
Laporta duket se ka lënë të kuptohet se nuk bëhet fjalë për afrime të yjeve vetëm për efekt spektakli.
“Nuk bëhet fjalë për transferime për shfaqje. Tifozët e kuptojnë se kemi një ekip shumë të fortë,” u shpreh ai kur u pyet për mundësinë e sjelljes së Haalandit te Barcelona.
Barcelona është lidhur gjithashtu ngushtë me sulmuesin e Atletico Madridit, Julián Álvarez.
“Nuk përjashtojmë askënd, sepse Barça mund të ndjekë të gjithë lojtarët më të mirë. Ne jemi ata që vendosim kushtet.”
Një nga pengesat kryesore për këtë transferim duket të jetë çmimi.
Atlético mund të sigurojë një ofertë më të mirë për Álvarezin nga Paris Saint-Germain dhe do të preferonte ta shiste jashtë Spanjës nëse ai largohet. Barcelona duket se po mbështetet te dëshira e Álvarez për t’u transferuar, nëse kjo lëvizje do të ndodhë./GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina kujdeset që udhëtimi juaj të jetë I lehtë dhe I sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe mijëra klientë...