Gjykata Kushtetuese ka lëshuar një reagim pas akuzave të rënda të Albin Kurtit e Glauk Konjufcës dje në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së. Deklarimet e tyre, Kushtetuesja i ka quajtur të pamatura, raporton Express.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë.”
Ajo ka thënë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
Tutje thuhet se askush nuk mund të ndërhyjë në punën e tyre dhe se çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë.”
Kushtetuesja thotë se çdo vendim i këtij institucioni bazohet ekskluzivisht në Kushtetutën e Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit.”
Gjykata ka apeluar që të gjitha palët të respektojnë pavarësinë e saj dhe të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur.
“Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues. Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës.”