Kushtet për koalicion, as LV-ja e as LDK-ja nuk ndërrojnë mendje - Gazeta Express
string(57) "kushtet-per-koalicion-as-vv-e-as-ldk-nuk-nderrojne-mendje"

Kushtet për koalicion, as LV-ja e as LDK-ja nuk ndërrojnë mendje

Gazeta Express

12/12/2019 10:57

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë lëvizur nga pozicionet që patën, si kushte për të arritur deri në marrëveshje për koalicionin. Takimi i djeshëm në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës nuk solli asnjë rezultat të ri, përveçse dy liderët i përsëritën kushtet që ia vunë njëri-tjetrit. Si rrjedhojë, VV-ja e LDK-ja u pajtuan vetëm për t’u takuar përsëri, shkruan Gazeta Express.

Një pauzë njëjavore që patën nga takimet Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk solli reflektim as te njëra e as te tjetra, sa i përket qëndrimeve për koalicionin.

Lexo Edhe:

Menjëherë pasi që u kthye nga Gjermania, aty ku qëndroi për vizitë disa ditë, lideri i LV-së Albin Kurti e thirri në takim të parin e LDK-së, Isa Mustafa. Mirëpo, pas një takimi njëorësh, marrëveshja nuk u arrit as të mërkurën.

Kurti e Mustafa ia përsëritën edhe një herë pozicionet që kanë njëri-tjetrit, në mënyrë që të dy palët të dakordohen për marrëveshjen.

Ajo se çka u tha brenda takimit, siç merret vesh është se LV-ja nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit që do ta pasojë Hashim Thaçin, derisa LDK-ja insiston që kjo pozitë u takon atyre.

Kurti e Mustafa zgjodhën që për mosmarrëveshjet kësaj radhe të mos flasin para mediave, aty ku pak minuta pas përfundimit të takimit doli zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

As zëdhënësi i LDK-së nuk tha shumë për takimin. Ai shkurtimisht u shpreh se dy liderët janë pajtuar vetëm për t’u takuar përsëri.

 “Takimi në mes dy liderëve ka përfunduar, të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e marrëveshjes”, tha shkurtimisht ai.

Për takimin foli edhe LV-ja përmes një komunikate të shkurtër drejtuar mediave.

“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e LV-së.

Merret vesh se dy liderët janë pajtuar që të takohen gati çdo ditë, për të vazhduar përpjekjet për koalicionin, mirëpo, ora për takimin e sotëm ende nuk dihet, kanë bërë të ditur burime brenda dy partive për Express.

Në ditën që bashkoi Kurtin e Mustafën, pas më shumë se një javë pauzë prej takimeve, presionet partive ua shtoi edhe thirrja e seancës konstituive nga presidenti Hashim Thaçi.

Presidenca dje njoftoi se seanca është thirrur për datë 24 dhjetor, që u jep kohë LDK-së e LV-së edhe dy javë për të nënshkruar marrëveshjen e koalicionit.

Kujtojmë që LV-ja e LDK-ja nuk po mund të gjejnë pajtim sa i përket pozitës së presidentit të ardhshëm. /GazetaExpress/