Kush po e ndotë ajrin më shumë, rrugët e Kosovës i shkelin edhe veturat e viteve të 70’ta


Gazeta Express
11 Dhjetor 2019 17:17

Rreth 200 mijë vetura të vjetra qarkullojnë rrugëve të Kosovës pothuajse çdo ditë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetura më e vjetër në vend është një Mercedes, i prodhuar para 70 vitesh. E pavarësisht dëmeve që shkaktojnë, importi i tyre po vazhdon. Në Doganë thonë se gjatë këtij viti, janë importuar 17 mijë vetura të përdorura. Përdorimi tyre po konsiderohet një nga shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit në këtë masë, madje po kërkohet edhe ndalimi i qarkullimit dhe importit të tyre.

Arjeta Shabani

Ndotja e ajrit në vend ka arritur në nivele shqetësuese ditëve të fundit. Në bazë të indeksit të cilësisë së ajrit nga Ambasada Amerikane, mesnatën e së enjtes, ndotja e ajrit në kryeqytet kishte arritur në shkallën 412 të ndotjes, që paraqet rrezik.

Një nga shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit në këtë masë po konsiderohet edhe përdorimi dhe importi i veturave të vjetra.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme deklarojnë se në gjithë vendin aktualisht janë në qarkullim mbi 350 mijë automjete, ku 290 mijë prej tyre janë vetura.

Zyrtari për informim në MPB, Behar Haziraj i ka thënë Gazetës Express se vetura më e vjetër që endet rrugëve të vendit është një Mercedes, i prodhuar para 70 vitesh.

“Sa i përket veturës më të vjetër në qarkullim në Kosovë për momentin është vetura Mercedes ngjyrë e kuqe, viti i prodhimit 1949”, ka thënë Haziri.

Por, kjo nuk është vetura e vetme e vjetër që qarkullon në vend. Bazuar në statistikat që ka siguruar Gazeta Express nga MPB’ja, numri i veturave të vjetra në vend shkon në rreth 200 mijë.

Në gjithë vendin aktualisht janë në qarkullim 150 vetura që janë prodhuar para katër dekadash dhe rreth 20 të tjera, të prodhuara para vitit 1970, derisa vetura që janë më të reja se 10 vite janë mbi 63 mijë mijë, ku vetëm 3 mijë prej tyre janë të prodhura gjatë këtij viti.

Dogana: Vetëm sivjet u importuan rreth 20 mijë vetura të përdorura

E pavarësisht dëmeve që ato shkaktojnë, vetura të tilla vazhdojnë që të importohen.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtij këti viti janë importuar mbi 23 mijë vetura. Ai deklaron se numri më i madh i tyre janë vetura të përdorura.

“Gjatë këtij viti janë importuar 23028 copë. Pjesa dërmuese është të përdorura,  pra 19778 copë/ derisa të reja janë 3250 copë”, ka thënë Stavileci.

Për importin e tyre, kosovarët kanë shpenzuar miliona euro. Sipas Doganës, vlera e përbashkët e këtyre veturave sillet rreth 200 milionë euro.

“Vlera e tyre pra e përbashkët është 201 milion euro, të përdorurat 147 milion, derisa të rejat janë  54 milion, kurse taksat e paguara në total si për të përdorura poashtu edhe për të reja janë në lartësin prej 40 milionë euro”, deklarojnë në Doganë.

E veturat më të preferuara për banorët e vendit po del të jenë ato gjermane, pasuar nga ato franceze, por që nuk mungon edhe importi nga vendet e tjera.

“Llojet janë të ndryshme, por dominojnë market gjermane, pastaj ato franceze dhe italiane, gjithashtu kemi edhe importe  të veturave aziatike”, thuhet në përgjigjet e Stavilecit drejtuar Gazetës Express.

IKSHP:  Të ndalohet qarkullimi dhe importi i veturave të vjetra

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, vitin e kaluar ishte ndaluar për dy ditë qarkullimi i veturave në kryeqytet.

E ndalimi i qarkullimit dhe importi i veturave të vjetra, po kërkohet edhe sivjet nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ky institucion së fundmi ka alarmuar për shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë.

Sipas IKShP-së, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosolë, e i cili vërehet gjithandej.

Në këtë institucion kanë paralajmëruar se vlera e ndotjes në Prishtinë pritet të jetë disa herë më e madhe se vlerat normale, derisa kanë treguar edhe për masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar sëmundjet.

“Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Të reduktohen daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta”, bën me dije IKShP-ja.

QKUK: Mos dilni nga shtëpia kur ka ajër të ndotur

Ajri i ndotur ka filluar që të ndikojë menjëherë në shëndetin e qytetarëve të vendit. Numri i pacientëve të cilët kryesisht kanë sëmundje kronike është duke u shtuar kohëve të fundit në Klinikën e Pulmologjisë, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Drejtoresha e kësaj Klinike, Rukije Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se numri i personave që po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e përkeqësimeve shëndetësore që po i marrin nga ajri i ndotur, është rritur.

Mehmeti thotë se ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë thëngjilli dhe përdorimi i veturave të vjetra.

“Pacientëve të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet kronike, në çdoherë iu japim këshilla që mos të dalin nga shtëpia gjatë ditëve kur në vend ka ajër të ndotur. Daljet në këtë ajër automatikisht e përkeqësojnë shëndetin e këtyre pacientëve. Vetëm për nevoja urgjente rekomandohet që këta pacientë të dalin nga shtëpia”, deklaron drejtoresha e Klinikës së Mushkërive në QKUK.

Ajo tutje deklaron se edhe prindërit të jenë të kujdesshëm në momentin kur fëmijët e tyre i ekspozojnë në ajër të ndotur. Mehmeti apelon që pacientët në këto ditë me ajër të ndotur, sidomos ata me sëmundje kronike, të pinë lëngje, të marrin vitamina dhe t’i minimizojnë daljet e tyre në ajër të ndotur.

MMPH: Veturat e vjetra, një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit

E se veturat e vjetra janë një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit, e thonë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në këtë ministri deklarojnë se kanë ndërmarrë veprime të rëndësishme për reduktimin e ndotjes së ajrit, e që sipas tyre po ndikojnë në përmirësimin e gjendjes.

Përveç vendimeve  për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, në këtë institucion thonë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit.

Zëdhënësi i MMPH’së, Leutrim Sahiti i ka thënë Gazetës Express se ata kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të zbatojnë udhëzimin administrativ që MMPH-ja ka nxjerrë vite më parë, e i cili ndalon regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.

 “Kjo Ministri në qershor të këtij viti ka filluar me fazen testuese të zbatimit të këtij udhëzimi mirëpo kjo fazë duhet të përfundojë dhe ky udhëzim duhet urgjentisht të fillojë së realizuari dhe kjo do të përmirësojë dukshëm gjendjen pasi që veturat e sidomos ato të vjetra janë një nga ndotësit më të mëdhenjë të ajrit”, ka thënë Sahiti.

Sahiti thotë se investimi më i madh që tani po ndodh në reduktimin e ndotjes së ajrit është ndërrimi i filtrave të TC “Kosova B”, projekt ky i cili financohet nga BE-ja dhe do të kushtojë 78 milionë euro.

“Investimet në fushën e reduktimit të ndotjes së ajrit janë shumë të kushtueshme dhe marrin kohë, sepse problemi i ndotjes së ajrit është problem i trashëguar dhe si i tillë veshtirë të tejkalohet shpejtë”, thuhet në përgjigjet e Sahitit drejtuar Gazetës Express.

Komuna e Prishtinës: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje

Shifra alarmante të ndotjes së ajrit janë shënuar gjatë dy ditëve të fundit në Prishtinë. Kreu i kësaj komune, Shpend Ahmeti, përmes një postimi të gjatë në Facebook, ka treguar për punët të cilat i ka kryer komuna, e të cilat megjithatë nuk kanë arritur ta ndalin ndotjen e ajrit.

Ai ka sqaruar se gjatë këtyre ditëve Komuna do të zhvillojë takime me njohës të kësaj problematike për të dalë me një version tjetër se si të parandalohet ndotja.

 “Këto ditë, po zhvillojmë takime me palë të interesit por edhe vakumi institucional po krijon telashe. Shpresojmë që sa më shpejt të kemi mundësinë që me nivelin qendror të koordinojmë masat afatshkurtra dhe afatmesme”, ka thënë Ahmeti.

Vetëvendosja: Ambienti nuk ka qenë asnjëherë sferë e interesit e qeverive të kaluara

Për ndotjen e ajrit janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Në VV thonë se mjedisi nuk ka qenë sferë e interesit të politikave, rrjedhimisht nuk ka pasur as alokim adekuat buxhetor.

Deputeti i legjislaturës së ardhshme nga radhët e Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku thotë se veprimet e Ministrisë së Mjedisit kanë qenë të izoluara dhe kanë dështuar të trajtojnë problematikën mjedisore me qasje holistike.

“Rregullimi i parametrave mjedisorë, ku bën pjesë edhe cilësia e ajrit, kërkon qeveri që merr përgjegjësi në nivelin më të lartë. Të gjitha politikat dhe sektorët e qeverisjes duhet të shfaqin ndjeshmëri të lartë mjedisore në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe projekteve”, ka thënë Çeku për Express.

Ai ka deklaruar se paralelisht me ndaljen e aktivitetit degradues të hidrocentraleve dhe guroreve, institucionet duhet të punojnë në masat për efiçiencë energjetike.

“Izolimi termik i ndërtesave, zëvendësimi i pajisjeve të vjetra elektro-shtëpiake, kapacitetet e ripërtëritshme, mënjanimi i humbjeve në sistem dhe masat për reduktimin e konsumit të energjisë duhet të zbatohen krahas ekonomizimit të shfrytëzimit të veturave private, përmirësimit të transportit urban, kontrollimit të industrisë së ndërtimit dhe rritjes së hapësirave të gjelbra në zonat urbane”, sugjeron Çeku.

Sipas tij, kësaj gjendjeje i ka paraprirë dështimi i institucioneve në parandalimin e prerjes ilegale të drurëve në Kosovë dhe shpyllëzimit.

Deklaron se mbrojtja e tokës bujqësore, mbyllja e deponive të hapura dhe rehabilitimi i kanalizimeve janë veprime që duhen ndërmarrë urgjentisht në drejtim të sanimit të gjendjes së rënduar mjedisore në Kosovë.

E megjithëkëtë, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar urgjentisht nga autoritetet kompetente që të përpilojnë një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në kryeqytet, largimin nga përdorimi i veturave të vjetra dhe veturat pa katalizator dhe masa të tjera.

Kosova ndërkohë është në proces të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, projekt ky që është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtje të mjedisit.

Ndryshe, ditë më parë Agjencia Evropiane e Mjedisit ka njoftuar se Kosova kishte 3,700 vdekje në vit nga ajri i ndotur, duke u renditur e para në Evropë. Me fjalë të tjera, ajri i ndotur ka shkaktuar humbjen e jetës së 0.2% të popullsisë./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart