string(38) "kush-nuk-i-fiton-zgjedhjet-ne-shqiperi"

Ballina

Ermal Mulosmani

22/01/2021 12:55

Kush (nuk) i fiton zgjedhjet në Shqipëri?

Ballina

Ermal Mulosmani

22/01/2021 12:55

Në dy shkrimet paraardhëse kam bërë një vështrim të situatës parazgjedhore të 8 qarqeve të Shqipërisë, në fillim Veriun e pastaj Jugun e Shqipërisë. Ato 8 qarqe nxjerrin vetëm 60 deputëtë ndërsa 4 qarqet që do analizoj sot (Tiranë, Fier, Elbasan, Durrës) nxjerrin 80 deputetë ose 57% të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Po e filloj analizën nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë që mandaton 36 deputetë ose mbi 1/4 e numrit të përgjithshëm të Parlamentit Shqiptar.

1.

Qarku i Tiranës

Qarku i Tiranës është qarku më kompleks i Shqipërisë. Me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, pragu kombëtar ulet në 1% çka i mundëson partive të vogla të shpresojnë shumë për deputet në Tiranë. Me këtë prag elektoral partitë e vogla (koalicioni Patozi-Topalli) ose Nisma Thurje kanë mundësi reale për të marrë deputet.

Tirana ka pasë një trend zbritës nga zgjedhjet e 2013-ës në atë të 2017-ës. Në të parën votuan 457,668 ndërsa në 2017-ën 423,717 votues, një rënie me 8 %. Nuk shoh asnjë arsye për një rritje votuesish në zgjedhjet e këtij viti përveçse të kundërtën. Nga ana tjetër, rritja e numrit të mandateve nga 34 në 36 jep shpresa të larta për partitë e vogla (siç e thashë edhe më lart). Tirana është qarku me popullsinë më të madhe të regjistruar (me censusin e 1 Janarit 2020 ka 895 mijë banorë) nga të cilët me të drejtë vote janë afërsisht 700 mijë banorë.

Referuar rezultateve zgjedhore të 2013-ës dhe 2017-ës, Partia Socialiste ka rezultuar bindshëm forcë e parë në Tiranë duke ruajtur një konstante prej afërsisht 200 mijë votash. Ky rezultat, i kombinuar me një përçarje të votave të  opozitës do t’i japë mundësinë të ruajë dominimin e Tiranës. Rezultate të pritshme janë : 1) Partia Socialiste 19 mandate Opozita 16 dhe 1 Parti e vogël, 2) Partia Socialiste 18. Opozita 17 dhe një parti e vogël 1 mandat dhe e fundit 3) një rezultat i barabartë PS-Opozitë me nga 18 mandate.

Parashikimi: Partia Socialiste 18 mandate, Koalicioni Opozitar 17 dhe 1 mandat partitë e vogla.

2.

Qarku i Fierit.

Qarku i Fierit është një bastion historik i Partisë Socialiste dhe i të majtës në përgjithësi. Në këtë qark, në zgjedhjet e 2017-ës votuan 104 mijë banorë ndër 185 mijë gjithsej për Partinë Socialiste! Ose 15 mijë më shumë sesa në vitin 2013. Megjithatë, edhe këtu vihet re një trend zbritës i votuesve në përgjithësi në raport me 2013-ën kur pjesëmarrja ishte 205 mijë votues. E çuditshmja është që rënia e numrit të votuesve në përgjithësi, nuk çon edhe në rënien e votuesve të Partisë Socialiste, përkundrazi. Socilaitët rrisin votat ndjeshëm dhe marrin edhe një deputet më shumë, nga 9 në 2013-ën shkojnë në 10!

Që të mos ndodhë e njëjta histori përsëri, opozita ka nevojë për një rivlerësim të takstikës elektorale. Kandidaturat nga LSI, PDIU dhe PR (tri parti që sigurojnë vota në atë zonë duhet të jenë numrat 7, 8 dhe 9 në atë qark, pra me shanse reale për deputet. Vetëm kështu do të nxiten të luftojnë për çdo votë të vlefshme duke maksimizuar rezultatin. Gjithsesi, në rast se Partia Socialiste ruan rezultatin e 2017-ës, atëherë, shpresat e Opozitës janë minimale për të rikuperuar diçka.

Parashikimi: 9 deputetë Partia Socialiste dhe 7 deputetë Opozita  

3.

Elbasani

Qarku i Elbasanit ka një popullsi prej afërsisht 270 mijë banorësh sipas censusit të Janarit 2020 dhe nxjerr 14 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë. Votues të mundshëm janë rrëth 190 mijë ndërsa pjesëmarrja në votime ka ardhë duke rënë nga 2013-a ( 175 mijë) në 2017-ën(166 mijë). Besoj se ky trend do të vazhdojë edhe këto zgjedhje.

Në dy zgjedhjet e fundit (2013 dhe 2017) Elbasani ka ruajtur një votë dominante të majtë (PS+LSI) me rreth  60% të votuesve duke lënë në minorancë votat e djathta. Mbetet për t’u parë sesa LSI do i ruajë votat e veta në këtë qark dhe a do mundet Partia Demokratike të rrisë ndikimin e saj aty. PDIU mbetet me një ndikim të jashtëzakonshëm e, ndoshta taktika në këtë rast do të ishte për një motivim të kandidatëve të saj. Gjithsesi, nuk mendoj që Partia Socialiste të ketë rënie aq të ndjeshme sa t’ia vërë në dyshim 7 mandatet.

Parashikoj një ndarje të barabartë në këtë zonë, 7 me 7.

4.

Qarku i Durrësit

Në qarkun e Durrësit, përveç informacioneve empirike që kam për qarqet e tjera do përdor edhe të dhënat e sondazhit të Ora Neës që pretendonte një pothuajse barazim mes votuesve të PD-së dhe atyre të PS-së dhe një epërsi të ndjeshme nëse llogaritet me koalicion nga krahu i PD-së. Në këto kushte, ky qark që nxjerr 14 deputetë  ka dy mundësi ose barazim ose epërsi 8 me 6 për Opozitën.

Në 2017-ën Partia Socialiste shënoi rritje të votive në këtë qark me rreth 13 mijë (nga 60 në 73 mijë) duke e fundosur Partinë Demokratike në 43 mijë vota. Mirëpo siç duket tërmeti i ka lëkundur besimin e durrsakëve te Edi Rama dhe ka shtuar votën kundër tij. Nga ana tjetër koalicioni me Partinë Agrare me ndikim në qytet si edhe me partitë e tjera mundet të ndikojnë për thyerjen e epërsisë socialiste në të kundërt. Nëse në zgjedhjet e 2013-ës në Durrës votuan 155 mijë votues, në 2017-ën votuan 150 ky trend zvogëlimi do ruhet përsëri. E në rast se Opozita arrin të kapë 80 mijë vota janë shanset reale për të kapur rezultatin 8 me 6 në favor të saj.

Parashikoj një rezultat Partia Socialiste  6 deputetë dhe koalicioni Opozitar 8 deputetë.

Në tërësi, parashikimi për 4 qarqet e sotëm është :

Partia Socialiste                     40 deputetë

Koalicioni Opozitar                39 deputetë

Partitë e vogla                        1 deputet

Ndërsa po të bashkojmë edhe dy rezultatet e djeshme, mendoj se rezultati do të jetë shumë i ngushtë:

Partia Socialiste            69 mandate

Koalicioni opozitar       70 mandate

Parti e vogël                  1 mandat.

Varet shumë nga rezultati i Tiranës. Nëse Partia Socialiste merr 19 mandate, atëherë, mund të jetë e kundërta pra Partia Socialsite të marrë 70 deputetë dhe koalicioni Opozitar 69 .

Gjithsesi, rezultati i këtyre zgjedhjeve mendoj se do të jetë shumë i ngushtë.