Të martën e javës së ardhshme përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Në anën tjetër, partitë politike ende s’kanë arritur të gjejnë konsensus mes vete për kryetarin e ri të shtetit për pesë vitet e ardhshme. Madje, nga dita e djeshme, shpresat për një marrëveshje janë minimale. Kjo pasi që, si Partia Demokratike e Kosovës, si Lidhja Demokratike e Kosovës, e konsideruan të përfunduar ‘’diskutimet’’ për president nga ana e tyre, duke kritikuar Vetëvendosjen dhe liderin e saj, Albin Kurtin, për ‘’insistim’’ dhe ‘’pamundësim’’ të gjetjes së një zgjidhjeje, ndërkohë që vetë ai po aludon se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve VV’së i takon edhe zyra kryesore në shtet, shkruan Gazeta Express.
Gjatë ditës së djeshme, skena vendore pa edhe një takim tjetër mes Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK’së, Lumir Abidxhikut. Pas takimit mes këtyre tyre, të dy liderët dolën dhe dhanë deklarimet për media.
Abdixhiku ishte ai që e ‘shpalli’ të përfunduar çështjen e presidentit për LDK’në, duke shtuar se kjo parti në rrethanat aktuale ‘’nuk mund të bëjë më shumë’’.
“Nga ky moment LDK e konsideron të përmbyllur këtë çështje. U përpoqëm të gjejmë zgjidhje për presidentin, nuk kam hapur diskutime tjera as për ekzekutiv, në momentin që do zgjidhnim çështjen e Presidentit, do të trajtonim çështje tjera. Unë besoj që me kaq në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. E lë të hapur për partitë e tjera, kemi bërë përpjekje për 53 ditë. U dakorduam që të mos takohemi më”, ka deklaruar ai dje.
I pari i LDK’së, foli edhe për ‘’insistimin’’ e VV’së, duke thënë se partia e Kurtit, përveç emrit të Glauk Konjufcës, nuk ka diskutuar asnjë emër tjetër. Abdixhiku, dje, tha edhe se, LDK nuk ka kërkuar asnjëherë asnjë pozitë, dhe se ata kanë pasur ‘’qëndrime parimore’’, përcjell Gazeta Express.
“Me LDK-në, Vetëvendosja nuk ka diskutuar as edhe një emër tjetër përveç Glauk Konjufcës. Për të kemi pasur qëndrim, jo për personin, por për shkak të pozicionit partiak që mban, që nuk mund të jetë president i Kosovës. Kjo ka qenë arsyeja pse shkuam në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, pra pse e humbëm afatin, na u shtuan edhe 44 ditë. Dhe jemi prapë në pozicionin e njëjtë si para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por unë u përpoqa, u përpoqa të gjejmë zgjidhje për presidentin e Kosovës. Unë nuk kam hapur diskutime të tjera. S’kam hapur diskutime as për ekzekutiv, as për kryetar kuvendi, sepse çështja është për presidentin. Momentin që kishim trajtuar çështjen e presidentit, do të mund të trajtonim edhe çështje të tjera. Dhe nuk kemi kërkuar asnjëherë asnjë pozicion për LDK-në, aq më pak për mua. Domethënë kemi pasur qëndrime parimore. Më pas, po të ishim pajtuar për propozime parimore, atëherë do të kishim hapur fazën e diskutimeve të tjera”, shtoi ai.
Që LDK’ja s’ka kërkuar asnjëherë pozitën e presidentit, e konfirmoi edhe Kurti. Ai pas takimit me Abdixhikun, tha se, s’ia ka ofruar këtë pozitë LDK’së, pasi që vetë kjo parti nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.
“Vetë LDK nuk ka konsideruar që asaj i takon pozita e Presidentit dhe nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Unë nuk mund të ofroj çka nuk kërkohet, Ekzistojnë disa rregulla elementare në bisedime, LDK me 15 deputetë nuk beson që ka të drejtë të kërkojë pozitën e Presidentit”, tha kryeministri.
Porse, kryeministri konfirmoi se LDK’së i ka ofruar pozita të tjera në qeveri. Pasi konstatoi se bisedimet ishin të pasuksesshme, Kurti bëri të ditur se LDK’së, i ka ofruar katër ministri dhe, zëvendëskryeministrin.
“Më duhet të konstantoj se bisedimet rezultuan ta pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat nuk u pranua nga kreu i LDK-së. Fillimisht ne ofruam që LDK me bashkëqeverisje ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri tjera. Kam kërkuar që Abdixhiku të jetë zëvendëskryeministri im”, tha dje Kurti.
Madje, deklaroi Kurti, përveç këtyre pozitave, LDK’së i kanë ofruar edhe atë të kryetarit të Kuvendit.
“Propozuam që pozita e kryetari të Kuvendit të pësojë një rokadë. Ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit, aty ku tash është Lidhja Demokratike e Kosovës. Nuk kemi se çfarë oferta të tjera të bëjmë më, e as ë u kërkua diçka tjetër nga ne”, tha dje kryeministri.
Kurti, dje njoftoi edhe se, më të përfunduar takimin me Abdixhikun, ai i është drejtuar me një mesazh edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Posa përfundova këtë takim, i dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe i thash të shohim çfarë është e mundur që të ecim përpara. Por, oferta që u refuzua nga LDK ka qenë eksluzive për LDK-në”, deklaroi dje Kurti.
Porse, edhe nga kjo parti, u tha se, konsiderojnë se është përmbyllur kontributin i PDK’së për zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se, zgjedhja e presidentit po pamundësohet nga mungesa e vullnetit dhe seriozitetit nga ana e VV’së.
‘’Sa i përket çështjes së Presidentit, Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur’’, u tha dje nga PDK’ja.
Ndryshe, deri më tani janë dy kandidatë për president të ri të vendit, të dy, të propozuar nga VV’ja. Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, janë dy të propozuar e partisë në pushtet për postin e shefit të shtetit. Kurse, ky proces duhet të marr epilog deri të martën e javës së ardhshme, ose, sipas aktgjykimit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje të reja. /GazetaExpress
Reisebüro Prishtina vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta drejt destinacioneve kryesore evropiane. Fluturimet në linjën Dortmund – Prishtinë, si...