Zyrtarja e LDK’së, Sibel Halimi, ka reaguar për dënimin e Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Halimi ka thënë se vendimi nuk e kompenson jetën e humbur e as dhimbjen e familjes, megjithatë thotë se kur drejtësia vepron me vendosmëri, dëshmon se krimi s’mbetet pa përgjigje.
Postimi i plotë;
Sot u dha një vendim meritor nga drejtësia kosovare, burgim i përjetshëm për vrasësit e Liridona Ademajt.
Asnjë vendim nuk e kompenson jetën e humbur, as nuk e shuan dhimbjen e familjes.
Por drejtësia, kur vepron me vendosmëri, dëshmon se krimi nuk mbetet pa përgjigje dhe se përgjegjësia nuk mund të shmanget.
Kujtimi për Liridonën le të mbetet një thirrje e vazhdueshme për shoqërinë që të mos e tolerojë dhunën, që kërkon drejtësi pa kompromis dhe që mbron dinjitetin e çdo jete njerëzore.
Sot, le të jetë ky mesazh për të gjithë ata që ngrehin dorë mbi jetën e grave, se dhuna nuk do të heshtet, nuk do të arsyetohet dhe nuk do të mbetet pa ndëshkimin më të ashpër.
Paqe për Liridonën!