Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook, lidhur me takimet e ndara, që ka pasur ditën e sotme me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, si dhe me, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kurti, ka thënë se, është ende herët të flitet për rezultate konkrete, por se, shprehet optimist për rrugën përpara, përcjell Gazeta Express.
‘’ Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.
Postimi:
Në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për legjislaturën e njëmbëdhjetë, sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës zhvillova takime të ndara me krerët e PDK-së dhe të LDK-së.
Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara. Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim.
Jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që vullnetin e shprehur të popullit ta jetësojmë me institucione të reja e funksionale, që punojnë për të mirën e qytetarëve dhe Republikës.