Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmendi reagimin e Ambasadës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe atë të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shkup, kur u pyet sot nga gazetari i T7, Genc Godanci për mungesën e reagimit të tij ndaj thirrjeve antishqiptare gjatë një ndeshje basketbolli të zhvilluar në Kumanovë fundjavën e kaluar, në të cilën ishin të pranishëm edhe krerët e shtetit maqedonas.
Kurti tha para gazetarëve se janë lehtësuar me reagimin e “të gjitha institucioneve” maqedonase për rastin. Ndërsa përmendi reagimet, nuk e përfshiu më të ashprin – atë të presidentes Vjosa Osmani.
“Për këtë ka reaguar ambasada jonë dhe unë kam konsideruar që është shumë më mirë që të reagojë së pari Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, e gjithashtu ka reaguar edhe deputeti ynë Bekim Qoku, i cili atje është në kuadër të VLEN-it, por është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ishte një lehtësim kur morëm vesh që kanë reaguar të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe kryeministrin Mickoski, gjë që nuk ka qenë rasti më herët”, tha ai.
Kurti bëri thirrje që të hetohet ky rast dhe të mos përsëriten raste të tilla.
“Por, ne bëjmë thirrje që Policia atje, në përputhje natyrisht me ligjin dhe praktikat evropiane t’i zhvillojë hetimet për këto raste të cilat janë qartazi shoveniste, të papranueshme, dhe si të tilla duhet të jenë të dënueshme dhe kurrsesi të mos përsëriten”, tha ai.
Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut i ka dënuar thirrjet antishqiptare ndërsa ka vlerësuar reagimin e Mickoskit.
Presidentja Vjosa Osmani ishte më e ashpër në një reagim më herët të hënën, ku tha se krerët e shtetit maqedonas po linin “hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”.
Bekim Qoku, deputeti i LVV-së në Maqedoninë e Veriut, pjesë e partive shqiptare në koalicionin qeverisës, i mbrojti institucionet e shtetit maqedonas në një reagim.