Në kuadër të fushatës zgjedhore në Hajvali, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka prezantuar arritjet që sipas tij janë shënuar gjatë mandatit qeverisës, duke kërkuar mbështetje për një mandat të ri.
Kurti tha se rrugëtimi elektoral “për shtet” ka vazhduar nga Ferizaj drejt Prishtinë, me ndalesë në Hajvali, derisa premtoi vazhdimin e “SuperPunës” për të rinjtë dhe zgjerimin e saj edhe për gratë në mandatin e ardhshëm.
Ai theksoi se qeveria që drejton kishte marrë pushtetin në vitin 2021 me një deficit buxhetor prej 512 milionë eurosh, ndërsa sipas tij, aktualisht ai është reduktuar në 25 milionë euro. Po ashtu, Kurti deklaroi se borxhi prej 141 milionë eurosh ndaj operatorëve ekonomikë është ulur në 21 milionë euro.
Në fjalimin e tij, lideri i VV-së përmendi edhe simbolikën e numrit 116, duke thënë se 7 qershori, përveçse dita e zgjedhjeve, përkon edhe me 116 ditë nga formimi i qeverisë së re më 12 shkurt.
“Edhe në fletën e votimit, përsëri e kemi numrin 116. Voto 116, Lëvizjen VETËVENDOSJE! bashkë me partnerët e saj, dhe qitja pikën”, deklaroi Kurti para mbështetësve.