Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka kujtuar vitin 2006 kur Lëvizja Vetëvendosje e cilësonte Ibrahim Rugovën si kolaboracionist. Këtë kujtim Hamiti e bëri në ditën kur u bë inaugurimi i shtatores së Rugovës, ku mori pjesë edhe Albin Kurti.
Në këtë komunikatë të VV’së, Hashim Thaci akuzohej se po bëhej si Ibrahim Rugova. Lëvizja e Kurtit ishte e ashpër ndaj Thaçit pse e nderoi varrin e Rugovës.
Në komunikatën e titulluar “Gjaku i humbur”, Lëvizja Vetëvendosje e akuzonte ish-presidentin për prezencën në varrimin e ish-presidentit tjetër, Ibrahim Rugova, për të cilin thonin se i ka bërë dëm politik vendit.
“Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, shkruhet tutje në komunikatën e VV-së të vitit 2006, të cilën sot Hamiti e kujtoi përsëri.