Këngëtarja e famshme, Demi Lovato, vijon me rrëfimet mbi jetën e saj personale. Së fundmi, ajo ka folur rreth ndarjes së saj me Max Ehrich., vetëm dy muaj pasi ishin fejuar.
Lovato ka treguar gjatë një interviste për revistën “Glamour”, se kjo ndarje ka qenë një shenjë e madhe për orientimin e saj seksual. Demi është shprehur se kur ka filluar që të rritet, ka nisur që të kuptojë se sa e veçantë ishte në të vërtetë.
“Vitin e shkuar unë isha e fejuar me një burrë dhe kur nuk funksionoi, mendova ‘Kjo është një shenjë e madhe’. Mendoja se do e kaloja jetën time me dikë. Tani që nuk do të ndodhte, u ndjeva më e lirë që mund të jetoja të vërtetën time”, është shprehur Demi.
Kjo e fundit ka shtuar se kur është lidhur me një vajzë, ka kuptuar se i pëlqente më shumë dhe ndihej më mirë.
“Isha shumë në rregull. Me meshkujt, me të cilët kam qenë në lidhje, kur vinte puna te marrëdhëniet intime, nuk doja të bëja asgjë. Nuk kishte fare lidhje personi me të cilin isha. I vlerësoja ata njerëz më shumë për miqësinë e tyre se sa për romancën dhe nuk doja romancë nga askush tjetër nga seksi i kundërt”, është shprehur këngëtarja e famshme.
E teksa fliste për orientimin e saj seksual, Demi ka pranuar hapur se është panseksuale. Këngëtarja ka zbuluar se kishte pasur një zgjim seksual kur pa skenën e famshme të puthjes së Sarah Michelle Gellar dhe Selma Blair në filmin “Cruel Intentions 1999”, por padyshim që u prek nga edukata e saj konservatore.
“Oh, më pëlqeu, por ndjeva shumë turp, sepse u rrita në Teksas si e krishterë, kjo është shumë zhgënjyese. Çdo tërheqje që kisha për një femër në moshë të re, e mbyllja brenda vetes para se të përpunoja atë që po ndieja”, tregoi ajo.
Të jesh panseksual do të thotë të mos tërhiqesh nga gjinia por vetëm nga personi, pa marrë parasysh nëse ai është mashkull apo femër. Pra, orientimi seksual apo identiteti gjinor nuk ka aspak rëndësi për ta.
Ndërsa e pyetur nëse dëshiron të ketë fëmijë, Demi rrëfeu se ka dëshirë të adoptojë.