Kuka: Besojmë në pastërtinë tuaj president - Gazeta Express
string(41) "kuka-besojme-ne-pastertine-tuaj-president"

Kuka: Besojmë në pastërtinë tuaj president

Gazeta Express

05/11/2020 12:06

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, i ka ofruar mbështetje Hashim Thaçit, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, për t’u përballur me akuzat për krime lufte në gjykatën e Hagës.

Thaçi njoftoi sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Prishtinë se do të heqë dorë nga posti i presidentit pasi i është konfirmuar aktakuza për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte i pranishëm në stadium kur Majlinda Kelmendi ia fitoi Kosovës medaljen e parë olimpike në historinë e saj në vitin 2016 në Rio.

Majlinda e fitoi medaljen e artë në xhudo.

Në një reagim në Facebook, Kuka e publikoi një fotografi ku shihet atëherë presidenti i Kosovës Thaci dhe Kelmendi pas triumfit të saj në Rio.

“Besojmë në pastërtinë e juaj! Siç u ngritëm ne në majën e Olimpit përkundër pengesave e barrierave edhe ju do ktheheni kryelartë President me shokët e luftës së pastër çlirimtare”, ka thënë Kuka

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë e paraqiti një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave të tjerë.

Në aktakuzën prej dhjetë pikësh thuhet se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, pretendohet në aktakuzën kundër Thaçit e Veselit.

Edhe aktakuza ndaj Kadri Veselit është konfirmuar sot dhe, njëlloj si ish-bashkëluftëtari i vet, edhe Veseli ka dhënë dorëheqje nga politika për t’u përballur me akuzat. /Gazeta Express/