Kthimi në identitet - Gazeta Express
string(19) "kthimi-ne-identitet"

Kthimi në identitet

Gazeta Express

22/08/2020 22:15

Pas një shkëputje të shkurtër, qeveria është kthyer në identitet, në “normalitet” – në qeverisje që akomodon interesa partiake e familjare, që karakterizohet në masë jo të vogël nga mungesa e kompetencës dhe arroganca. Identitet i krijuar ndër vite, i stërkeqjes institucionale, shtetërore e shoqërore.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Takime nga më të parëndësishmet, që do të duhej të ishin pjesë e punës së përditshme, e jo të bëhen lajme në media, nuk kanë reshtur që nga fillimi i qershorit, kur u krijua qeveria e re. Lajme të tipit ”zëvendësministri takohet me minstrin”, “ministri takohet me ministrin”, “zëvendëskryeministri takohet me ministrin”, “zëvendëskryeministri takohet me kryeministrin” janë sa të shpeshta, aq të turpshme për t’u publikuar. Kjo i bie sikur çdo ditë, secili qytetar të tregojë se është takuar me kolegun e tij të punës, shefin e tij, ose vartësin e tij në organizatë. Ose, ka të ngjarë që armata e zëvendësministrave, nga tre, katër e pesë nëpër ministri, nuk ka çfarë të punojë dhe e kalon kohën në vajtje-ardhje nëpër dikastere qeveritare. Nuk ka çfarë të punojë, sepse nuk është aty për një gjë të tillë.

Një kthim në identitet, si në kohën e qeverisjes së PAN’it, kur ekzekutivi ishte rrush prej zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave e koordinatorëve. Ndonëse tash në numër pak më të vogël, logjika e funksionimit është e njëjtë: akomodimi në pozita kryesisht i militantëve partiakë, shumë nga të cilët kompetencë të vetme e kanë librezën e subjektit politik që përfaqësojnë.

Vetëm një pesëdhjetëditësh i qeverisjes së Albin Kurtit ndërpreu praktikën e keqe të ndërtuar e kultivuar ndër vite, me emërime politike të panevojshme që shterin buxhetin e shtetit, ndërkohë që nevojat e qytetarëve për investime janë të mëdha. Gjatë kësaj kohe të shkurtër pati përpjekje që të ndryshojë mënyra se si ishte qeverisur deri atëherë e vazhdon të qeveriset edhe sot, e karakterizuar me mungesë kompetence e mujshi, arrogancë e joprofesionalizëm sa s’ka.

Mjafton të bësh një hulumtim të thjeshtë në internet, për të parë se sa kushi paguhet nga taksat tona vetëm se liderëve të partive iu është tekë t’i akomodojnë në pozita, për t’ua kthyer ndonjë borxh angazhimi partiak. Tashmë nuk përbën më lajm se familjarë politikanësh zënë pozita të rëndësishme në institucione, se militantë partiakë e të afërm politikanësh zaptojnë pozita nëpër ndërmarrje publike, se bordet e ndryshme janë të mbushura po ashtu me të tillë njerëz. Madje gjithë kjo bëhet haptazi, nuk fshihet, është kthyer në normalitet. Në një normalitet të frikshëm që tregon gjendjen e mjerë të të bërit politikë dhe raportin që qeveritarët kanë me qytetarët.

* * *

Se si është qeverisur vendi ndër vite, mjafton të shihet rasti i Telekomit të Kosovës. Një kompani dikur shumë fitimprurëse, e sjellë nga politika në prag të falimentimit. Përpjekjet për rimëkëmbje nuk zgjatën shumë, sepse interesat partiake e politike janë të mëdha, ashtu si dhe apetitet e atyre që dëshirojnë të kafshojnë edhe copat e fundit nga një kompani që po vdes. E kjo bëhet duke sjellë në krye njerëz partiakë, e jo profesionistë të fushës.

Rasti i pesëdhjetëditëshit të qeverisjes VV-LDK, respektivisht qeverisjes së Albin Kurtit dhe rrëzimi i saj, tregojnë më së miri se si të gjithë bëhen bashkë kur iu rrezikohen interesat politike e financiare. Nuk ishte në pyetje as raporti me SHBA’të, as mënyra e menaxhimit të pandemisë, e as diçka tjetër, por vetëm droja se po iu rrezikohej “identiteti” i krijuar ndër vite, i keqqeverisjes e përfitimeve, ajo që i bëri bashkë në rrëzimin e qeverisë në një krizë globale shëndetësore.

Si rezultat, qeveria e krijuar nga një shumicë e thjeshtë parlamentare nuk garanton as kalimin në Kuvend të ligjeve të rëndomta, e lëre më të marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat nevojiten dy të tretat e votave. Si rezultat i përmbushjes së ambicieve personale e partiake dhe mosrrezikimit të kapitalit të krijuara ndër vite, vendi tash gjendet në një situatë të vështirë, në mungesë të hapave konkretë për ta nxjerë nga kriza ekonomike e pandemike, në mungesë të ideve për të çuar përpara procesin e shtetndërtimit. Si rezultat, qeveria me vetëdije të plotë ka hequr dorë nga një pjesë e subjektivitetit të vet ndërkombëtar, duke stopuar aplikimin në organizata ndërkombëtare.

Përmenden miliona e miliarda që do të investohen në ekonomi, ndërkohë që sektori privat ballafaqohet me vështirësi të shumta. Shërbimi diplomatik mbetet i mbushur me plot njerëz që janë dërguar gjithandej botës vetëm sa për t’i akomoduar, e jo se kryejnë ndonjë punë të hajrit. Vendimet e qeverisë së kaluar janë anuluar jo pse nuk kanë qenë të mira, por pse kanë rrezikuar interesa. Shumë interesa.

Se cilat interesa janë rrezikuar, më së miri e di LDK’ja – partia që mori iniciativën për të prishur koalicionin, në të cilin bënte pjesë vetë. Partia, e cila vazhdon të ndërtojë identitetin e stërkeqjes institucionale, shtetërore e shoqërore, ndonëse pati rastin të ndryshojë.