Kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar tha sot, pas një takimi me Presidentin Tamas Sulyok, se nëse ky i fundit nuk jep dorëheqjen, qeveria do të nisë procedurat ligjore për ta shkarkuar atë nga detyra.
Pas fitores së tij dërrmuese në zgjedhjet parlamentare në prill, Magyar i ka bërë vazhdimisht thirrje presidentit që të japë dorëheqjen, por ky i fundit deri më tani ka refuzuar. Madje pak ditë më parë, Sulyok i është drejtuar edhe me një kërkesë Komisionit të Venecias për këtë çështje.
Ai theksoi se thirrjet për dorëheqje për arsye politike ndikojnë negativisht në funksionimin kushtetues dhe autoritetin e institucionit të Presidentit.
“Dr. Tamás Sulyok, President i Republikës, i kërkoi organit këshillimor kushtetues të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian për Demokraci dhe Ligj, i njohur më mirë si Komisioni i Venedikut, të vlerësonte çështjet ekzistuese kushtetuese dhe t’i ofronte Bordit ndihmë nga ekspertët në zgjidhjen e situatës së diskutueshme, duke marrë parasysh vlerat kushtetuese evropiane.”, thuhet në deklaratën e presidentit hungarez drejtuar Komisionit te Venecias.
Kujtojmë që në fjalimin e tij të fitores, kryeministri i ri bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit dhe të tjerëve që ai i quajti “shërbëtorë të regjimit të Orban”.
Magyar e përsëriti sërish kërkesën në një konferencë ndërkombëtare për shtyp, dhe më pas në një fjalim në seancën konstituive të parlamentit, ku praktikisht foli në mënyrë kritike për presidentin e vendit dhe shpjegoi pse mendon se ai nuk duhet të qëndrojë në detyrë.