Kritikohet MKRS-ja për shumën e ndarë për futboll - Gazeta Express
string(49) "kritikohet-mkrs-ja-per-shumen-e-ndare-per-futboll"

Kritikohet MKRS-ja për shumën e ndarë për futboll

Gazeta Express

03/04/2020 20:35

Donatori në Llap, Tahir Batatina, dhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve kosovarë, Visar Zogiani, kanë vlerësuar se ndihmat e ndarë për Federatën e Futbollit të Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë të pamjaftueshme, përderisa edhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se futbolli është më i kushtueshëm sesa sportet e tjera.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau pesë milionë euro për t’i ndihmuar të gjitha sektorët e veta ta tejkalojnë krizën e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, që ka bërë që të pezullohen të gjitha aktivitetet sportive, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Klubet e futbollit po e kanë të vështirë t’i menaxhojnë pagat e futbollistëve dhe stafit tani që pronarët s’janë duke përfituar para nga sponsorët dhe nga shitja e biletave pasi që ndeshjet janë pezulluar.

Tahir Batatina i Llapit e ka cilësuar si qesharake vendimin e MKRS-së për ndarjen e parave për futbollin, duke besuar se ato para janë të pamjaftueshme.

“270 mijë t’i ndahen futbollit, kjo mu është dukur shumë qesharake. Ata duhet ta kuptojnë që ato mjete duhet të ndahen vetëm për klube në krizë dhe jo për projekte të tjera”, ka thënë Batatina në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Nëse janë ndarë pesë milionë euro, ato duhet të ndahen në proporcion me shpenzimet që janë në secilin sport. Futbolli është më i kushtueshmi për momentin. Llapi i jep 50 paga dhe i harxhon 53 mijë euro në muaj, përderisa gjysmën e pagës ua jep lojtarëve para se të nisë sezoni”.

Të njëjtin mendim e ndan edhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, Visar Zogiani.

“Shuma e ndarë nga Ministria për futboll është 269,552 euro. Mendoj se këto janë të pamjaftueshme. Duhet të kuptohet që në këtë kohë krizë është dashur të mendohet për secilën Federatë”, ka thënë Zogiani në “Favorit”.

“Futbolli është sporti më masiv dhe pagesat janë më të mëdha dhe ka më shumë klube dhe ka edhe më shumë futbollistë në kontrata, që paguhen për 12 muaj. Kjo shumë ndoshta është dashur të jetë më e madhe”.

“T’i ndahen Federatës së Futbollit dhe Federatës së Hendbollit një shumë pothuajse e njëjtë, përderisa në hendboll nuk ka shpenzime shumë të mëdha. Në futboll rrogat janë 12 muaj, ndërsa për shembull në basketboll klubet marrin më shumë lojtarë në fazën e play-offs.

Ndërkohë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, beson se duhet të kuptohet që tani të gjitha sektorët kanë nevojë për ndihma, përderisa ka theksuar se futbolli është sporti më i kushtueshëm.

“Ne duhet ta kemi parasysh standardin tonë shtetëror. Kjo është një pandemi gjithëpopullore. Nuk e dimë se sa do të na i ndajnë neve nga ai pesë milionësh, por futbolli është sporti më masiv dhe më i shtrenjtë në këtë vend”, ka thënë Ademi në “Favorit”. /Gazeta Express/