string(109) "krasniqi-qeveria-dhe-zrre-duhet-te-gjejne-zgjidhje-per-te-shtyre-afatin-e-daljes-ne-treg-te-hapur-per-biznese"

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 21:10

Krasniqi: Qeveria dhe ZRrE duhet të gjejnë zgjidhje për të shtyrë afatin e daljes në treg të hapur për biznese

Lajme

Gazeta Express

23/05/2025 21:10

Eksperti i energjisë, Erzen Krasniqi, ka pohuar në EURO n’T7 se për vite të tëra janë subvencionuar tarifat e energjisë elektrike – dhe kjo është arsyeja pse as amvisëria dhe as bizneset nuk e kanë ndier rritjen reale.

Sipas tij, së paku në tri vitet e kaluara, çmimi i një megavati në bursat ndërkombëtare ka shkuar deri në 1000 euro, por pas subvencionimit nga qeveria dhe çmimeve të rregulluara, kjo nuk është ndier nga konsumatorët.

Rritja e tanishme e tarifave, pas daljes në treg të hapur për biznese, ka krijuar huti të madhe – si për shkak të ofertave, ashtu edhe për shkak të kohës shumë të shkurtër për të vepruar.

“Në kohën e pandemisë dhe në fillim të luftës në Ukrainë, ka qenë në plan dhe është diskutuar që bizneset të dalin në treg të hapur. Është mirë që kjo nuk ka ndodhur atëherë, sepse çmimi në bursat ndërkombëtare ka qenë deri në 1000 euro për megavat, dhe mbyllja e bizneseve as që është diskutuar – sepse ato do të mbylleshin. Bizneset nuk e kanë hetuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sepse energjia ka qenë e subvencionuar”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, sipas Krasniqit, sot situata është krejtësisht ndryshe, por vendimi për daljen në treg bizneseve u ka ardhur krejt papritur, dhe koha për të vepruar është shumë e shkurtër – qoftë për të gjetur oferta të mira në treg, qoftë për të bërë investime vetanake për prodhim të energjisë.

Andaj, kërkesa për shtyrje të afatit për daljen në treg, sipas Krasniqit, është reale dhe e domosdoshme.

“Bizneset kanë nevojë për më shumë kohë – nuk mund të përgatiten në një periudhë kaq të shkurtër. Qeveria dhe ZRrE duhet të ulen dhe të merren vesh për ta shtyrë këtë afat. Përndryshe, bizneset po vendosen në një pozitë shumë të rëndë. Qeveria ka mundësi të reagojë – dhe duhet ta bëjë këtë”, ka thënë Krasniqi.