Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka bërë deklarata të forta për mënyrën se si, sipas tij, është ideuar dhe ndërtuar mekanizmi i ofendimeve dhe linçimeve në rrjetet sociale brenda ish partisë së tij.
Në RTV Dukagjini, Krasniqi ka theksuar se ideatorët kryesorë të këtij mekanizmi kanë qenë kryesisht ‘grupi’ nga Shqipëria.
“Kryesisht grupi i Shqipërisë, Dejona, ai flokëqi Hoxha (Elvis Hoxha), Bojkeni (Bojken Abazi), kanë qenë ideatorët. E kanë ditë se çfarë peshe ka me pas dhe çfarë ndikimi ka me pas në publik kjo formë agresive”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka sqaruar se, ndonëse nuk ka qenë ideator i kësaj qasjeje, ka pasur rol kyç në mbështetjen e saj financiare gjatë kohës sa ishte pjesë e Vetëvendosjes.
“Unë kam qenë aty, unë i kam financu. Kur është kriju kjo struktura e Vetëvendosjes për ofendime, fyemje, linçime në rrjetet sociale, unë kam qenë kontribuuesi më i madh i asaj pune”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka pohuar gjithashtu se kjo strukturë ka funksionuar si një mekanizëm i organizuar për ofendime, linçime dhe sulme personale në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë si një strategji të vetëdijshme për ndikim në opinionin publik.
“Ia kam sjellë krejt kompjuterat, i kam ble dhe kam kriju atë dhomën e madhe ku janë ulë me dhjetëra të rinj… dhe kanë fillu me ofendime, me i fy njerëzit mbi baza personale”, është shprehur ai, duke shtuar se më pas ka ndjerë “njëfarë çlirimi personal” kur vetë është bërë objekt i kritikave dhe ofendimeve.