KQZ-ja ka një njoftim me rëndësi për pagesat e të angazhuarëve në zgjedhje


Gazeta Express
14 Dhjetor 2019 11:49

Kohë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi se ka persona që ende për arsye të ndryshme nuk i kanë marrë mjetet që u takojnë.

Ai ka listuar disa nga arsyet se pse ende nuk janë paguar këta persona.

“Ka persona që nuk i ka marrë akoma mjetet që i takojnë për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive, apo edhe llogari jopersonale. Në raste të tilla, këta persona duhet të komunikojnë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku ka qenë i angazhuar gjatë këtyre zgjedhjeve për të paraqitur përmirësimet që duhen bërë në mënyrë që ta ridërgojmë për pagesë”, tha ai për EO.

“Numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 22 mijë e 500. Nga ky numër vetëm 500 raste kemi pasur kur mjetet janë kthyer për ndonjërën nga arsyet e lartcekura. Shumë prej tyre janë ridërguar sërish për pagesë”.

Ndërkaq sa i përket listët me emrat e personave të angazhuar si staf ditor në QNR, Elezi tha se lista do të përcillet për në Ministrinë e Financave gjatë javës së ardhshme.

“Gjithashtu, listat me personat e angazhuar si staf ditor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si dhe listat me personat e angazhuar në dërgimin e rezultateve nga Qendrat e Votimit – do t’i përcjellim për pagesë në Ministrinë e Financave gjatë javës që vjen”, tha ai.

Te fundit


Kthehu lart