Shefja e inteligjencës shqiptare, kosovarja Vlora Hyseni ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me John Ratcliffe, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Hyseni, siç njoftoi Shërbimi Informativ i Shtetit, qëndroi në Washington DC midis datave 15-17 maj, ku “u takua me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik”.
Në takimin me Tulsi Gabbard, drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u tha se “u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona”.
“U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet në njoftim.
SHISH-i njoftoi se në takim me shefin e CIA, Hyseni diskutoi “një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta”.
“U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës”, thuhet në njoftim.
Vizita e Hysenit në SHBA, SHISH-i tha se “dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.
Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) deri në vitin 2021, kur u shkarkua me vendim të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Arsyet nuk u bënë të ditura asnjëherë.