Menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, ka zbuluar se ai kishte tentuar t’i nxjerrë Amir Rrahmanit e Samir Ujkanin nga Italia për t’i sjellë në Kosovë në mënyrë që ata ta kryejnë fazën e vetizolimit për 14 ditë para se të vjen koha për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut.
Shkaku i përhapjes së madhe të koronavirusit nëpër botë dhe pas shpalljes të këtij virusi si pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndeshja gjysmëfinale e play-offs kualifikues për Kampionatin Evropian kundër Maqedonisë së Veriut është vënë në dyshim, transmeton Gazeta Express.
Ndeshja fillimisht është vendosur të zhvillohet pa tifozë, përkundër që fillimisht u shitën mbi 30 mijë bileta, ndërsa më vonë Federata maqedonase kërkoi që të shtyhet kjo ndeshje, vendim që do të merret të martën në një takim urgjent të thirrur nga UEFA.
Kjo pasi që Maqedonisë do t’i mungonin tre lojtarë të rëndësishëm për këtë ndeshje, pasi që ata kanë qenë në Itali dhe sapo të zbresin në Shkup do të duhet të vendosen në karantinë për dy javë, shkaku i vendimeve të marra nga autoritetet maqedonase.
E njëjta rregull vlen edhe për dy lojtarët e Kosovës në Itali – Amir Rrahmanin e Hellas Veronës dhe Samir Ujkanin e Torinos – që do të duhet të izolohen për dy javë pasi të vijnë nga Italia. Për t’iu shmangur një situatë të tillë – kur Rrahmani e Ujkani s’do të lejoheshin të luanin – Bajram Shala tentoi t’i kthejë ata më herët nga Italia, por ky tentim nuk i pati sukses.
“Ne kemi qenë në biseda disaditore me Torinon dhe Veronën. Duke pasur parasysh që ata nuk kanë më stërvitje pasi që janë pezulluar aktivitetet sportive, klubet s’kanë bërë probleme në aspektin sportiv”, ka thënë Shala në emisionin “Favorit” në T7.
“Ideja ime ishte që ata të vijnë këtu pak më shumë se 14 ditë para ndeshjes, në mënyrë që ta kalojnë atë fazën e karantinës këtu dhe të konfirmohet që janë pa virus dhe të jenë pjesë e ndeshjes”.
“Të dyja klubet ishin të shqetësuara për shëndetin e futbollistëve, edhe pse ne ua kemi garantuar se do të marrim përgjegjësi të plotë për shëndetin e tyre e për ta gjetur një formë udhëtimi dhe u kemi garantuar që ata do të kthehen në Itali në një kohë të caktuar, mirëpo dy klubet kanë shfaqur frikë mjaft të madhe pasi që ata thonë se qeveria ka dalë me vendime ka ndaluar që njerëzit të largohen e të kthehen në Itali gjatë kësaj periudhe”. /Gazeta Express/