Kosova baltos moralin e luftës së saj - Gazeta Express
string(37) "kosova-baltos-moralin-e-luftes-se-saj"

OP/ED

Gazeta Express

01/05/2021 19:08

Kosova baltos moralin e luftës së saj

OP/ED

Gazeta Express

01/05/2021 19:08

Nëse Qeveria e Kosovës i lë në baltë luftëtarët e saj të lirisë, ata që udhëhoqën luftën aty, si do të sillet ajo nesër me amerikanët, gjermanët dhe tjerët që e ndihmuan atë ta çlirojë veten? Morali dhe kujtesa e një republike të re.

Xhemal Ahmeti

Lexo Edhe:

Gjykata Speciale në Hagë nuk lejoi të mbrohen në liri ish liderët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Dy nga këta së fundi në PDK, njëri në NISMA dhe i fundit në LVV. Përveç Selimit të gjithë ish presidentë, ish krye-parlamentarë e të llojit. Që këta të mundeshin të mbrohen në liri – sipas arsyetimit të gjykatës – do duhej të garantonin shtete. Veçanërisht të treta. Sipas Hisen Berishës, ish-gjeneralit të UÇK-së në Koshare, presidenti kroat paska dhënë sinjale se Kroacia mund ta bëjë një gjë të tillë. Çudi që deri tash nuk ka reaguar Edi Rama, ndoshta që mos të akuzohet nga kosovacentrisët lokalë të bëjë spektaklet e radhës, ato “pozat e padronit” apo “vëllait të madh”? Me ndonjë lobim fare sipërfaqësor një mbështetje të tillë mund ta jepte edhe Milo Gjukanoviç. Me ndonjë presion të lehtë të Ali Ahmetit edhe Maqedonia mund të hynte garant. Gjithçka mund të ndodhte dhe të ndodhë orëve që vijnë. Lobet dhe rrjetet janë në funksion. Vetëm një diçka mungon në gjithë këtë aksion: mungon qeveria, presidenca dhe parlamenti i Kosovës. Këto gjitha bashkë jo vetëm që nuk paskan lëvizur gjë paraprakisht, por as tash kur afera u bë publike nuk marrin as qëndrim e lere më për më shumë.

HISEN BERISHA E QUAJTI TURP  këtë sjellje të institucioneve të shtetit – Turp! Vërtet sa turp është kjo? Parasëgjithash le të përjashtojmë nga ky debat justifikimet infantile të atyre që thonë i kanë bërë shumë dëme Kosovës sa ishin në pushtet, ngase ata atje nuk gjenden për keqqeverisje por për kohën e luftës e as nuk u arrestuan pasi refuzuan tu konfiskohet pasuria. Ata janë atje si krerët e UÇK-së, asaj ushtrie që nisi luftën, u ndihmua nga perëndimorët dhe fitoi atë, luftën. Prandaj mos të bësh gjë, ose të refuzosh si shtet i dalë nga ajo luftë, të mos ndihmosh dhe mbrosh ata që e organizuan dhe bënë atë luftë mund të mos jetë turp – varret nga personat bartës se a dinë të turpërohen apo jo – por është më shumë dështim moral, politik dhe human i Republikës së Kosovës. Është dështim moral edhe i opozitës, parive politike të cilat nuk protestuan për këtë sjellje të institucioneve. Ndonjëra palë nuk reagoi si duhet ndoshta ngase merret me projekte të bashkimit kombëtar e ndonjëra tjetër ngase nuk gjendet FARK në Hagë. E pse të gjendej?

SJELLJA E VJOSA OSMANIT në këtë temë ndoshta buron nga siguria e saj për 5 vitet e ardhshme mos të mundet kush t’ia prek pozitën. Është arrogancë e një pushteti që siç duket hakmarrjen ka bërë flamur veprimi, është sjellje që as me fabula të Konicës, as me ato të Çajupit me arinjë e minjë e as me ato të Fishtës nuk e përshkruan dot në trajtën adekuate, ashtu siç e meriton dhe është. Presidentja nuk kupton se ajo etapë nuk fshihet dot nga historia për teka të saja. Ashtu siç ende nga shoku nuk kupton se cili është roli kushtetutar i një presidenteje – me siguri jo të mohojë emrat e kryeministrave të Shqipërisë. Ajo nuk e kupton se në rast gjykimi si të fajshëm të krerëve të luftës de-legjitimohet e drejta e Kosovës për të qenë shtet. Ose legjitimohet si shtet që u bë në sajë të një luftë kriminele. T’i ndihmosh kësaj tentative të dikujt, për ta legjitimuar si jo të pastër luftën donë të thotë të jesh vasale e ndonjë pushteti që nuk ia do të mirën Kosovës. Këto janë fjalë të rënda, por kjo është udha më direkte dhe më e drejtë që çon në Romë, respektivisht që më së bukuri deshifron sjelljen e Presidencës. Ose ajo është duke punuar shumë afër me Edi Ramën dhe tjerët e rajonit por nuk donë ta njoftojë hë hë opinionin publik – çka do na shtynte ne të gjorëve t’i kërkojmë falje.

KURTI DHE KONJUFCA NUK SILLEN MË MIRË. Gjersa sjellja e Osmanit edhe pritej të manifestohet në këtë mënyrë, e njëjta nuk pritej nga Kuvendi, nuk pritej nga Glauk Konjufca, i cili qoftë si pinjoll familjeje patriotike e qoftë si njeri aktiv i shërbimeve të fshehta shqiptare dhe kauzës gjatë luftës pritej të reagojë ndryshe me stafin e tij. Nuk pritej as nga Kurti një sjellje e llojit qoftë edhe për shkak të Rexhep Selimit, por ja edhe Selimi qenka njëri nga ata brenda që përbëjnë njërin nga ata fëmijët që i hëngri revolucioni për tu realizuar ideali – pushteti!

Me të drejtë pyesin ata që thonë se me sa fuqi, kredit, të drejtë shkojmë në Bruksel dhe akuzojmë botën mos ta qortojë Serbinë për viktimat e shumta, duke lënë njëkohësisht në baltë e qelive të botës pikërisht ata që mbronin njerëzit dhe po mos të ishin ndoshta do kishte edhe më shumë viktime dhe sot as Kosova s’do ishte shtet.

MË SHUMË SE TURP ËSHTË KJO SJELLJE. Është morali i një kaste të re politike, e cila ia ka ndërtuar vetes një frymë të rëndë toksike, hakmarrjeje, një mentaliteti snobësh që beson se bota nis me ta. Bëhet fjalë për një kastë (e cila me shumicë ka zënë postet ne pushtet dhe burokraci), e cila edhe kur kërkon drejtësi për viktimat duket sikur bënë poza. Sikur të tallet me to. Ngase kur vjen puna që të mbrohet ajo epokë, ajo luftë, ato viktima bëjnë sikur të kishte të drejtë Serbia.

Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca janë aty për ta mbrojtur shtetin me të gjitha anët, kohët dhe segmentet e tij, sidomos përballë botës. Në këtë kontekst bën pjesë edhe lufta e saj e drejtë dhe mbrojtëse nga agresioni serb. Nëse këto institucione nuk e bëjnë këtë, atëherë të jemi të sigurt se ajo do të dalë e paaftë edhe karshi problemeve tjera ekzistenciale të Republikës së Kosovës.