Kosova, as këtë vit nuk do të jetë në Eurosong - Gazeta Express
string(45) "kosova-as-kete-vit-nuk-do-te-jete-ne-eurosong"

Muzike

Gazeta Express

20/10/2022 22:29

Kosova, as këtë vit nuk do të jetë në Eurosong

Muzike

Gazeta Express

20/10/2022 22:29

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) nuk ia ka dalë të sigurojë pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision, pavarësisht deklaratave të menaxhmentit se janë duke punuar në këtë drejtim.

Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) ka publikuar sot listën e shteteve që do të marrin pjesë në Eurovisionin e vitit 2023, ku në garë do të jenë 37 shtete, një numër dukshëm i ulët në krahasim me vitet e kaluara.

Lexo Edhe:

Kosova, e cila tash e një kohë po tenton të marrë pjesë në garën më të shikuar televizive, nuk ia ka dalë të sigurojë pjesëmarrje, pavarësisht se ditë më parë drejtori i Bordit të RTK-së Besnik Boletini deklaroi se janë duke u angazhuar në këtë drejtim dhe se shpresojnë që vitin e ardhshëm të jenë pjesë e Eurovisionit, i cili do të mbahet në Liverpul të Britanisë së Madhe.

“Kemi pas takime me përfaqësues të EBU-së, ku kemi diskutuar për mundësinë e anëtarësimit të RTK-së me të drejta të plotë në EBU, që pak a shumë është edhe proces politik për shkak të disa pengesave, por ajo që ne jemi aktualisht duke u angazhu është që të sigurojmë një ftesë për Eurovision, do të shohim se a do të mund të kemi mirëkuptimin e organizatorëve. Një proces që jemi duke punuar dhe nuk do të japim shumë detaje në këtë kohë, por shpresojmë që do të kemi sukses”, ka deklaruar Boletini gjatë raportimit ditë më parë para Komisionit për Administratë të Kuvendit të Kosovës.

Pse nuk pranohet Kosova?

Tash e disa vjet, bashkë me angazhimet e RTK-së për të marrë pjesë në Eurovision, zhvillohet edhe një fushatë në rrjetet sociale me emrin “Eurovision Kosovo”, ku përveç lajmeve më të fundit nga Festivali, po sensibilizon edhe kërkesën e Kosovës për pjesëmarrje, ku jorrallëherë fushata nga kjo faqe prezantohet edhe në mediat e huaja dhe vendore.

Fushata “Eurovision Kosovo” vitin e kaluar ka nisur një peticion, i cili i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovision, e deri tash ky peticion ka më shumë se 10 mijë nënshkrime, që konsiderohet si peticioni më i madh që i është drejtuar EBU-së deri më tani, por as kjo nuk ka arritur që të bindë Bashkimin e Transmetuesve Evropianë që të kapërcejë pengesat, të cilat pak a shumë janë politike.

Statusi i EBU-së për anëtarësimin e shteteve të reja thotë se “anëtarësimi në EBU është i hapur për organizatat transmetuese ose grupe të tilla organizata nga një vend anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) i vendosur në Zonën Evropiane të Transmetimit, siç përcaktohet nga Radio Rregulloret e aneksuara në Konventën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit, ose vend anëtar i Këshillit të Evropës i cili ndodhet jashtë Evropës”.

Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimi i shpejtë i vendit në KE do të lehtësonte pjesëmarrjen edhe në Eurovision.

Derisa kjo të ndodhë, artistët nga Kosova disa herë janë prezantuar në Eurovision duke përfaqësuar vendet e tjera, si Rona Nishliu (Shqipërinë 2012), Lindita Halimi (Shqipërinë 2017), Gjon Muharremaj (Zvicra 2021-2022).