Koronavirusi: Boksierët e falënderojnë Pacollin që ua mundësoi kthimin në Kosovë me aeroplan privat - Gazeta Express

Koronavirusi: Boksierët e falënderojnë Pacollin që ua mundësoi kthimin në Kosovë me aeroplan privat

Sporte tjera

Gazeta Express

19/03/2020 9:55

Ekipi kombëtar i Kosovës në boks e ka falënderuar nga qielli ish-zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli për ndihmën që ia ka ofruar për t’u kthyer nga Londra me aeroplanin e vet privat, pasi Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari i kishte anuluar fluturimet nga Britania e Madhe për shkak të koronavirusit.

Ekipi është kthyer dje në Prishtinë dhe është vendosur në karantinë, si masë parandaluese nga Covid-19.

Ekipi u kthye dje në Kosovë pas 12 orëve pritjeje, për shkak të tollovisë që ka shkaktuar pandemia koronavirus, duke i anuluar shumë fluturime në gjithë Evropën, shkruan Gazeta Express.

Ekipi i boksit ndodhej në Londër, ku po merrte pjesë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, por organizatori vendosi të hënën t’i pezullojë garat shkaku i përhapjes së pakontrollueshme të Covid-19

Si pasojë, ekipi kishte mbetur në Londër, pa zgjidhje për t’u kthyer në Kosovë, shkaku i ndërprerjes së të gjitha fluturimeve për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Pas 12 orëve pritje, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës Pacolli ndërmjetësoi me zyrtarët në Londër, konkretisht ish-ministrin të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Sit Alan Duncan, dhe e dërgoi aeroplanin e vet privat për ta marrë ekipin e boksierëve, i cili tani ndodhet në karantinë, si masë parandaluese e shpërndarjes së koronavirusit.

Trajneri i boksierëve të Kosovës, Besim Brahimi, e ka falënderuar Pacollin në një video-mesazh duke fluturuar në qiell me aeroplanin e tij privat. Ai madje e quan Pacollin Donlad Trump i Kosovës. /Gazeta Express/