Kryediplomati Glauk Konjufca dje u pyet edhe nga gazetarët në Shqipëri për “politikën në Kosovë” dhe nëse është gjetur emri i Presidentit të ri.
Konjufca atje tha se po vazhdojnë bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe partive politike opozitare, ndërsa paralajmëroi se do t’i çojnë edhe ftesë PDK-së.
“Bisedat po vazhdojnë mes kryeministrit dhe partive politike. Kryeministri tashmë e ka takuar kryetarin e LDK-së, një ftesë për takim ia ka dërguar edhe Partisë Demokratike, ata kanë kërkuar disa sqarime shtesë, të cilave me siguri që kryeministri do t’iu përgjigjet shpejt”.
Ai tha partia e tij nuk “insiston patjetër” që ta ketë emrin e saj në zgjedhjen e Presidentit, duke shtuar se po të kishin qenë insistues s’do t’i kishin takuar opozitën.
Por, sot në Prishtinë Konjufca përmendi zgjedhjet dhe nëse ndodh ky skenar, ai tha se do të ishte “vullneti i opozitës”.
“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, tha shkurt Konjufca.
Ai po ashtu iu tha sot gazetarëve se do të tërheqë kandidaturën sapo që partitë opozitare të bëjnë një propozim për president.
Afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit është 28 prilli. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë, vendi shkon në zgjedhje. /Express/