Konfirmohet për Express, Richard Grenell nuk do të ndërmjetësojë takim Thaçi - Kurti në Berlin - Gazeta Express
string(91) "konfirmohet-per-express-richard-grenell-nuk-do-te-ndermjetesoje-takim-thaci-kurti-ne-berlin"

Konfirmohet për Express, Richard Grenell nuk do të ndërmjetësojë takim Thaçi – Kurti në Berlin

Gazeta Express

05/12/2019 13:44

Një përgjigje e dhënë për Gazetën Express nga Ambasada e SHBA-së në Berlin, demanton raportimet e bëra në media, se emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, do t’i bëjë bashkë sot, në Berlin, presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e VV-së, Albin Kurti. Ambasadori Richard Grenell madje nuk gjendet fare në Berlin

Besnik VELIU

Lexo Edhe:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë udhëtuar për në kryeqytetin e Gjermanisë, ku do të marrin pjesë në një organizim të “East-West Institute” në të cilin do të flitet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas agjendës zyrtare të siguruar nga Gazeta Express kjo konferencë do të fillojë sot (5 dhjetor) në orën 18:00 dhe do të zgjasë vetëm deri të premten (6 dhjetor) në orën 18:00.

Megjithatë, përgjatë këtyre dy ditëve (5 dhe 6 dhjetor) nuk do të ketë kurrfarë takimi të iniciuar nga ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, me presidentin Hashim Thaçi apo liderin e VV-së, Albin Kurti, meqë emisari i Donald Trumpit për dialogun Prishtinë-Beograd nuk ndodhet fare në Berlin.

Një gjë të tillë ekskluzivisht për Gazetën Express e ka konfirmuar Joseph Giordono-Scholz nga zyra për media e Ambasadës së SHBA-së në Berlin, i cili ka treguar se Grenell nuk gjendet fare në Berlin.

“Ambasadori Grenell ndodhet në një udhëtim zyrtar, kështu që nuk do të jetë në Berlin as sot e as nesër”, ka thënë Scholz ekskluzivisht për Gazetën Express.

Në media që nga dje është raportuar se sot në Berlin, ambasadori Richard Grenell do të ndërmjetësojë një takim Thaçi-Kurti në Berlin, meqë dy politikanët kosovarë ndodhen në kryeqytetin gjerman.

Sipas këtyre raportimeve, ky takim i sotëm do të iniciohej nga ambasadori Richard Grenell për të afruar qëndrimet asimetrike të dy politikanëve sa i përket dialogut ndërmjet Kosovë – Serbisë.

Se presidenti Thaçi ka udhëtuar për në Berlin që të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim” e ka konfirmuar përmes një komunikate për media zyra e presidencës, më 4 dhjetor.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Berlin të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim””, thuhej në njoftim.

Ndërkohë zyra për media e LVV-së për Gazetën Express ka konfirmuar se edhe Albin Kurti ka udhëtuar për Berlin për të marrë pjesë, gjithashtu, në konferencën e organizuar nga East-West Institute.

Megjithatë, nuk mund të përjashtohet ndonjë takim i presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer, i cili do të jetë pjesë e kësaj konference në Berlin.

Palmer sipas agjendës zyrtare të kësaj konference të cilën e ka siguruar Gazeta Express do të jetë pjesë e panelit të diskutimeve më 6 dhjetor. /GazetaExpress/