Katër dekada pasi Stephen Hawking mahniti botën duke folur përmes kompjuterit të montuar në karrocën e tij me rrota, teknologjia po shkon edhe më tej. Falë inteligjencës artificiale, njerëzit me aftësi të ngjashme të kufizuara tani mund të komunikojnë përmes një versioni digjital, realist të vetes.
Një shpikje e re u jep personave me sëmundje degjenerative mundësinë të krijojnë një avatar personal — me zërin, fytyrën, shprehjet dhe emocionet e tyre — i cili do të flasë për ta.
Përdoruesit do të ndërveprojnë me një ekran të vendosur përballë tyre në karrocë, ndërsa përgjigjet e tyre do të shfaqen si avatar në një ekran më të madh mbi kokë.
Ky avatar do të jetë pothuajse identik me përdoruesin: do të riprodhojë zërin e tij origjinal, mimikën, intonacionin, madje edhe nuancat emocionale që kishte para sëmundjes.
AI–ja do të trajnohet me personalitetin e përdoruesit, historinë e tij, marrëdhëniet e kaluara dhe madje edhe bisedat e mëparshme në WhatsApp — duke mësuar humorin, mënyrën e komunikimit dhe stilin e tij të të menduarit.

Kur përdoruesi bisedon me dikë, pajisja dëgjon me mikrofon, kupton kontekstin dhe gjeneron tre përgjigje të mundshme. Përdoruesi zgjedh njërën prej tyre vetëm me lëvizjen e syve.
Ndryshe nga Hawking, i cili kishte nevojë për rreth pesë minuta për të formuluar një fjali të shkurtër, sistemi i ri mundëson përgjigje brenda vetëm tre sekondave.
Një teknologji që u jep zërin 100 milionë njerëzve
Më shumë se 100 milionë njerëz në botë vuajnë nga kufizime të rënda të të folurit për shkak të sëmundjeve si Sëmundja e Neuronit Motorik (MND), paraliza cerebrale, dëmtime traumatike të trurit apo goditjet në tru.
Megjithatë, 98% e tyre nuk kanë qasje në pajisje komunikimi, shpesh për shkak të kostos së lartë.
Duke e prezantuar software–in në AI Summit në New York, LaVonne Roberts, drejtoreshë ekzekutive e Scott–Morgan Foundation (SMF), tha për Daily Mail:
“E mrekullueshme është që kjo teknologji ua kthen njerëzve zërin. Për ata që dikur ishin plot humor e shpërfaqje, por sot nuk mund ta lëvizin fytyrën, ne rikthejmë personalitetin e tyre përmes avatarit.”
Në vend të një chatbot-i të përgjithshëm, sistemi trajnohet në mënyrë të thelluar me të dhënat personale të secilit përdorues, duke i mundësuar të “mendojë” sa më afër mënyrës së tyre.
Me kalimin e kohës, AI–ja do të bëhet gjithnjë e më e saktë në imitim të karakterit të pacientit.
E krijuar nga një teknolog i paralizuar plotësisht
Në një arritje që konsiderohet e para në botë, softueri — i quajtur SMF VoXAI — është projektuar tërësisht përmes komandave të syve nga Bernard Muller, shefi i teknologjisë në SMF, i cili është paralizuar plotësisht nga ALS.
Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë izraelite D–ID (që punoi avatarët), firmën britanike ElevenLabs (që klonoi zërin) dhe me teknologjinë e çipeve të Nvidia.


Gil Perry, bashkëthemelues dhe CEO i D–ID, tha se kompania zakonisht punon me korporatat më të mëdha amerikane për asistentë digjitalë, por që gjithmonë kishte synuar ndikim social:
“Edhe nëse një person nuk mund të shprehë më emocione, tashmë kjo s’është më pengesë. Avatarët mund t’i rikthejnë buzëqeshjen dhe jetën.”
Falë teknologjisë: një buzëqeshje, një porosi, një “të dua”
Roberts tha se teknologjia ua kthen pacientëve të drejtën bazë për komunikim:
“Qoftë një porosi e thjeshtë në Starbucks, pa ia zgjatur radhën të tjerëve, apo mundësia t’u thonë fëmijëve ‘të dua’ me emocion të plotë — kjo është dinjitet.”
Software–i do të jetë falas, ndërsa pajisjet do të personalizohen sipas nevojave të çdo përdoruesi.
SMF ka krijuar tashmë një prototip me dy ekrane të montuara në karrocë dhe është në kërkim të një kompanie për ta prodhuar në shkallë të gjerë. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...