Bournemouthi raportohet se po shikon Frank Lampardin si një kandidat për të qenë trajneri i tyre i ardhshëm, pas lajmit se Andoni Iraola do të largohet në fund të sezonit.
Legjenda e Chelseat ka rikuperuar reputacionin e tij gjatë një periudhe mbresëlënëse në Championship dhe mund të jetë pranë një rikthimi të menjëhershëm në Premierligë.
Iraola ka informuar drejtuesit e Bournemouthit se do të largohet në fund të këtij sezoni, duke e konsideruar mandatin e tij trevjeçar si një “fund cikli” në bregdetin jugor.
Ky vendim vjen si një goditje e madhe për “Cherries”, të cilët për 15 muaj kishin tentuar ta bindnin spanjollin të nënshkruante një kontratë të re afatgjatë.
Pavarësisht një oferte të madhe trevjeçare për të qëndruar në “Vitality Stadium”, Iraola ka zgjedhur të kërkojë një sfidë të re.
Klubi kishte shpresuar se merkatoja e suksesshme e janarit dhe përmbushja e rregullave financiare do ta bindnin, por ish-trajneri i Rayo Vallecanos pritet të jetë objektiv i disa klubeve të mëdha në Europë.
Me një vend vakant që pritet të hapet, Lampardi ka dalë si një kandidat serioz për ta marrë drejtimin, sipas “inews”.
Ish-mesfushori i Anglisë ka pasur një sezon shumë të mirë në stol, duke u nominuar për çmimin “Trajneri i Vitit” në Championship.
Puna e tij te Coventry në “CBS Arena” nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e Premierligës që kërkojnë lidership të ri.
Lampard ka lidhje të forta me klubin, pasi xhaxhai i tij Harry Redknapp ka drejtuar më parë ekipin, ndërsa kushëriri i tij Jamie Lampardi mban lidhje të ngushta me figura kyçe në “Vitality”.
Evolucioni i tij taktik këtë sezon ka bërë që Coventry të dominojë Championshipin, duke e bërë një opsion tërheqës për një Bournemouth që vlerëson stabilitetin dhe zhvillimin.
Megjithëse Lampardi është një emër i madh në listë, ai nuk është i vetmi.
Trajneri i Ipswich Townit, Kieran McKenna, mbetet gjithashtu shumë i kërkuar pavarësisht rënies nga Premierliga sezonin e kaluar.
McKenna ka rikthyer Ipswichin në krye të Championshipit dhe shihet nga disa si një hap logjik drejt Bournemouthit në karrierën e tij.
“Cherries” po monitorojnë edhe Inigo Perez të Rayo Vallecanos.
Si ish-asistent i Iraolas, ai shihet si një profil i ngjashëm që mund të sigurojë një tranzicion të butë për skuadrën aktuale./GazetaExpress/