KOK pret ekipin e xhudos pas suksesit në Europian - Gazeta Express
string(49) "kok-pret-ekipin-e-xhudos-pas-suksesit-ne-europian"

Gazeta Express

24/11/2020 23:26

KOK pret ekipin e xhudos pas suksesit në Europian

Gazeta Express

24/11/2020 23:26

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv, Besire Domaniku, kanë pritur sot ekspeditën e xhudos, pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian “Pragë 2020”, ku Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka fituan medaljet e bronzta.

Ekspedita e xhudos përbëhej nga kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajneri kampion Olimpik, Driton Kuka, kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi dhe medalistja e bronztë e botës dhe së fundi Evropës, Distria Krasniqi.

Lexo Edhe:

Presidenti Hasani përgëzoi delegacionin e xhudos për suksesin e arritur, me theks të veçantë Distria Krasniqin, për të cilën ishte medalja e dytë evropiane, pas të argjendtës së fituar në vitin 2018.

“Një medalje që me të drejtë e ka quajtur edhe ‘Toni’ është e bronztë, por shkëlqen si ari, pasi ishin medaljet e para elitare për këtë vit, një vit mjaftë i rëndë edhe për sportin tonë. Uroj që ky sukses të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm dhe me medalje të na kthehen edhe nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, dhe ta përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrën më të dinjitetshme, siç ka ndodhur deri më tani”, tha presidenti Hasani, duke kujtuar se për dallim nga Lojërat Olimpike Rio 2016, ku kishim dy norma Olimpike, tani kemi gjashtë sosh, pesë nga xhudo dhe një nga mundja, me shpresën se ky numër do të rritet në muajt ne vazhdim.

Distria Krasniqi duke falënderuar presidentin Hasani për pritjen, e cilësoi 2020-tën vitin shumë të suksesshëm për të.

“Pavarësisht se ka qenë një vit i vështirë jo vetëm për mua, por për të gjithë sportistët, mund ta cilësoj si vit të suksesshëm, pasi arrita të kthehem me medalje nga kampionati evropian, po ashtu i suksesshëm, pasi po e mbylli vitin si e para në renditjen botërore dhe Olimpike. Shpresoj që vitin tjetër të kem shumë suksese dhe të kem paraqitje të mirë edhe në Lojërat Olimpike”, tha Krasniqi.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, e quajti të suksesshme pjesëmarrjen në evropian, duke thënë se si federatë dhe komunitetin sportivë është  e arritur të madhe të marrësh pjesë me tre garues dhe të fitosh dy medalje.

Trajneri Driton Kuka duke falënderuar KOK-un për mbështetjen e vazhdueshme, foli për sfidën e madhe që kishte para evropianit, ku ekipi u përballë me pandeminë Covid 19, shkaku i së cilës prej nëntë garuesve, ekipi mori pjesë në evropian vetëm me tre.

“Ajo që na ka ndodhur shtatë ditë para evropianit i ngjante një filmi horror, ku çdo ditë kemi pasur testime, për çka i jam mirënjohës Naser Ramadanit nga IKSHPK. Përkundër që Distria Krasniqi ka qenë kandidate për medaljen e artë, unë jam i lumtur për medaljen e bronztë, bazuar edhe në sfidat në të cilat kaluam”, tha ndër të tjera Kuka, duke theksuar se shëndeti i garuesve tjerë pozitiv është i mirë.

Kampiona Olimpike Majlinda Kelmendi përgëzoi Distrian për medaljen e bronztë, duke theksuar se gjithë presioni i këtij evropiani ishte tek ajo, për çka e krahasoi edhe me presionin që ajo kishte në Lojërat Olimpike Rio 2016.

“Edhe medalja e bronztë është sukses i madh. Për vete edhe pse i kam arritur të gjitha, dhe prap nëse do të fitoja të bronztën do të gëzohesha shumë, prandaj të fitosh dy medalje të bronzta nga tre garues është sukses jashtëzakonisht i madh”, u shpreh Kelmendi.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, theksoi edhe një herë mbështetjen e KOK-ut për ekipin Olimpik të xhudos dhe sportistët tjerë, duke potencuar se obligimi dhe angazhimi i KOK-ut duhet të rritet edhe më shumë nga viti i ardhshëm në mbështetje të sportistëve qoftë në përgatitje, bursa ose pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

KOK priti ekspeditën e xhudos???, pas suksesit në Kampionatin Evropian #Prague2020?????? Drejtuesit e Komitetit Olimpik…

Posted by Kosovo Olympic Committee on Tuesday, November 24, 2020