Koci i muslimanëve pişmanlı dhe Jonit çorapashumë - Gazeta Express
string(52) "koci-i-muslimaneve-pismanli-dhe-jonit-corapashume-ge"

Koci i muslimanëve pişmanlı dhe Jonit çorapashumë

Xhemal Ahmeti

22/08/2020 20:18

Kundërreagim ndaj tekstit të Arianit Kocit të botuar në Gazetaexpress me titullin: «Kuisja, pishmanlia dhe shamia».

Avokati Koci sjell argumentet se pse nenet 38 dhe 48 janë por shamisë në shkolla. Ato janë: musliman pişmanlı, Joni me çorape dhe njeriu me shumë emra (pa e ditur asnjërin saktë). Yok Arianit bey: diskursi kërkon kulturë. Vetëm ca paragrafe të çmontuara nuk mjaftojnë. Megjithatë pa një përgjigje s’bën.

Lexo Edhe:

FETË E KOCIT

Avokati masmedialisht i popullarizuar Arianit Koci ka reaguar ndaj tekstit tim “Shamia “bizantine” e një avokati “katolik“.

Motivi kryesor i tij për të reaguar paska qenë, citat: “(…) përmendja e përkatësisë sime fetare në artikullin e Xhemalit, pa qenë fare objekt i temës për të cilën e kam trajtuar në postim, më ka bërë të ndihem i diskriminuar“. Keqardhje për këtë keq-lexim. Askund në tekst nuk them se është katolik, porse perceptohet si i tillë. Kjo është arsyeja se pse fjalën “katolik” e futa në thonjëza dhe e sqarova në fusnotë se është çështje private e tij dhe jorelevante për temën në fjalë. Ai e bënë vetë relevante duke shkruar: “a nuk kam të drejtë si katolik, t’i mbroj klientët e mi” dhe më pastaj rikonfirmon: “shamia e gruas myslimane është e barasvlershme me kryqin tim të arit që e mbaj rreth qafe“.

E tash pse qenka diskriminim kur të thotë dikush se je diçka që edhe vetë e deklaron pohueshëm. Pikërisht atë që nuk e thashë unë në tekstin tim edhe pse kisha shikuar një emision në T7 me Berat Buzhalën dhe një këngëtare ku Koci, citat: “Shok e teposhtë jam katolik e shok e tenaltë jam mysliman”. Pamja më erdhi në kujtesë pas reagimit, përndryshe e kisha përdorur si metaforë. Është figuracion shumë i bukur.

ALIBITË

S’kam bërë asnjë diskriminim. Ai përdor floskën për ta arsyetuar reagimin që mos u përgjigjet çështjeve që kontestova në tekstin paraprak: Nenet kushtetuese 38. 2 dhe 48.2, të cilat ai instrumentalizon në favor të mbajtjes së shamisë specifike (asaj që mbulon edhe flokët dhe vazhdon në pjesën e sipër të trupit nga të miturat) nuk i përmend e as mbron duke i interpretuar si herën e parë. Numëron në vend. Strehohet në një retorikë floskash e nofkash të pakripta. Afërmendsh ngase liria për art dhe për shkencë nuk merret me atë se ç’ pantallonash ke veshur por se a je i lirë nga shteti për të hulumtuar e trajtuar çka të duash apo jo. As nenin tjetër nuk e përdor më. Liria e besimit po, por ku? Ku shkruan se shkollat dhe institucionet nuk kanë të drejtë të vendosin rregulla se si duhet të sillen nxënësit brenda tyre? Në mungesë të kundër-argumenteve përhumbet banaliave e trivialiave dhe stërplason “fatkeqësinë” time që s’paskam të mbaruar fakultetin juridik.

PËRGATITJA

E vërtetë është. Nuk kam kryer juridikun askund. Fatkeqësisht në internet nuk gjeta të dhëna për përgatitjen shkollore të zotëri Kocit. Çka gjeta ishte se ndër të tjera kishte punuar si kondukter, kamarier dhe kishte bartur thasë në Zvicër. Respekt për këtë.

Ndërkaq sa për mua, ndër të tjera, unë kam kryer filozofinë, politologjinë, historinë dhe kam promovuar (nga master e përpjetë) filozofinë dhe shkencat e religjioneve (krahasuese). Kur të dojë autori mund t’i plasojmë publikisht diplomat. S’ka asnjë problem, madje vetëm të fundit jo të gjitha se në mos del edhe ndonjë diplomë juridiku. Pra unë jam ndër të tjera historian dhe ekspert i religjioneve. Me diploma universitetesh zvicerane. Prandaj më interesojnë religjionet. Pse islami veçanërisht: unë vij nga një rreth mysliman. Kam mësuar gjysmën e Kuranit përmendsh (ende di plot dova përmendsh) dhe kam qenë 3 vite në mejtep. Kur lexova në serbishte Kuranin kuptova se nuk ishte punë për mua ajo që ma impononte rrethi dhe u bëna nacionalist. Pra nuk u bëra pishman, por vetëm dola nga programi social i rrethit drejt lirisë sime. As katolik nuk u bëra më vonë. As ortodoks. As nga shoku e poshtë e as nga shoku përpjetë. I respektoj të gjitha fétë (ndryshe nuk i kisha studiuar) dhe kaq më mjafton.

Si historian dhe studiues i filozofisë së religjioneve me diploma zvicerane jam kompetent për atë që flas rreth féve, politikës së tyre, historisë së tyre më shumë se z.Koci. Por për aspektin juridik? Nuk bëra gjë tjetër përveç se lexova nenet që na i ofroi ai dhe me logjikën e shëndoshë pashë se ka bërë gabim. Reagova. Kaq.

Tash në reagimin e radhës sjell “Udhëzimin e MASHT-it 3 pika 1.13” duke e deklasuar si antikushtetues. Me cilat nene? Me ato të lirisë për të bërë shkencë dhe art?! Apo me atë që thotë se secili ka të drejtë të ushtrojë fenë e tij agorave. Më shumë saktësi aty s’ka. A nuk shkruan ky duke thënë se nuk i bëj unë ligjet por tjerët? Le t’i respektoj atëherë ato që i nxjerrin institucionet qoftë edhe formë udhëzimesh. Ose le të bëj padi në Gjykatën Kushtetuese në emër të klienteve të tij me shamija, jo si ato që bartin nënat tona por s ato që s’ishin më parë aty. Le ta bëjë në vend se të protestojë në Facebook. Ai përfol konfuzçe neutralitetin dhe sekularitetin: shteti s’mund të jetë neutral karshi asaj çka ndodhë brenda institucioneve të tij ngase është i detyruar me Kushtetutë t’i ruaj ato. Kaq juridizëm kuptojmë edhe ne jojuristët. Dukuria është komplet e re. Sekularizëm është të garantosh lirinë dhe të drejtën për të gjithë, por jo edhe lejimin e sistemeve juridike dhe politike paralele. Shkollat fetare që diktojnë mbulimin edhe të të miturave me shami e niqabe janë politike dhe veprojnë të bazuara në Sheriat. E ky është domeni im jo i avokatit nga Prishtina. Këtë e di më mirë se ai. E ato juridiksione janë komplet në kundërshti me kushtetutat e vendeve joteaokratike. Për këtë të mjafton edhe shkolla e mesme juridike e lere më shumë.

Për kualitetin e diksursit të tij si provë, demonstrim, citat:

“Si një jurist që nuk je Xhemal, mundohesh të përkufizosh sekularizmin dhe institucionin publik, e të avokosh për të drejtat e fëmijëve. Nga urrejtja dhe mllefi yt prej një myslimani pishmanli, ti i fut qytetaret kokëmbuluara në thesin e ligjthyesve.”.

Unë u mundova ta përkufizoj sekularizmin, nenet që sjell, lirinë e besimit dhe institucionin publik. E si e bën ky? me “myslimanizëm pishmanli, urrejtja dhe mllefi” i Y apo X. Ku janë përkufizimet e zotëri Koci. Diskurs kafenesh.

EMRAT E MI

Koci shpalohet si një jurist i nivelit të kategorisë të Drejtën nuk e pranojnë si të dhënë, pasi e kualifikojnë moralisht. Unë kam të drejtë ta ndërroj emrin, mirëpo kallëzon se qenka punë për xhehenem e për psikiatri. Le të bëhemi transparent deri në fund: Nuk e kam ndërruan emrin në Jon Leka. Nuk ma pranuan. Ideja ishte e mirë por s’ia dola. Nxitja për aksionin më erdhi pasi një vendas i imi ofiqar më njoftoi se në Maqedoni masivisht njerëzit i pagëzojnë fëmijët në Ebu Nur, Ebu Hashim, Abu Utman e të llojit. Desha të senzibilizoj. E pranoj se ideja duket nacionaliste, por unë e bëra nga frika se humbet kultura shqipe, të cilën e dua. Pra nuk quhem Jon Leka. Por as Xhemal Ahmeti nuk quhem unë zyrtarisht këtu në Zvicër. Nuk do ishte ide e keqe kjo avokatit Koci. A thua ma pranojnë mbiemrin Lejleku? Çorapët vërtet i ndërroj shpesh. Kjo pikë shkon në favor të Kocit. Njeriun nuk e bën emri, emrat por ato dy gjysmat se si ndihet dhe vepron. Vërtet çka është Koci më shumë centimtra mysliman apo katolik? E ku mbeti njeriu, kondukteri, kamarieri, motoristi? Kush ka probleme me identitet këtu?

KOMPLEKSET

Zotëri Koci e ka gabim. S’kam komplekse identitare ngase habitusi im nuk përbëhet vetëm nga dy materie (më tepër ideologji, në këtë konteskt religjioze) dhe asgjë tjetër. Subjekti im nuk është nga gjenitaliet e poshtë katolik e nga kërthiza e përpjetë mysliman; ai është konglomerat kompleks fragmentesh nga lloj lloj kultura, identitete, gjuhë e relikte, të cilat gjitha në harmoni më bëjnë të mos jem skllav as i atij shokë e poshtë e as atij shokë e përpjetë. Edhe religjionet kanë pjesë aty, por jo si prioritete, jetë a vdekje. Si i tillë s’kam kujt i hyj në qejf. As për klientë s’çaj kokën se më paguan shteti. Nuk varem nga askush. Dëshmi e ke Allahun. Pyeti klientët e tu që kanë lidhje direkte me të.

SHAMIA DHE KRYQI

Në njërin nga Universitetet më të njohura katolike, në Universitetin e Freiburgut të Zvicrës, para 20 vitesh kantoni i hoqi kryqat – që Koci thotë e mban qafës – nga sallat dhe klasat e gjitha fakulteteve, përveç atij teologjikut ku përgatiten priftërinj. Arsyetimi: Shkolla është institucion sekular dhe në të mësojnë edhe nxënës të religjioneve tjera, të cilët nuk duam t’i detyrojmë me simbolet e njërës nga fetë në Zvicër. Preambulla e Kushtetutës zvicerane hapet me “Në emër të Zotit të gjithpushtetshëm“. Megjithatë e hoqën kryqin. Koci e bën të kundërtën. Ngase nuk di. Rreth nofkave tjera si “musliman pishmanli” dhe “kujisja” nuk e zgjas. Vetëm i përkthej: pishmanli = penduar dhe kujisja = gratë që ulurijnë, histeriket. Se edhe shkronjat ulurikan tash e mora vesh. Dhe i penduar s’jam fare. Për çka?

Nuk është në rregull ta shpikësh një “diskriminim” për të debatuar dhe pa i përmendura asfare ato që i kontestonte tjetri. Koci si duket ka marrë hujet e klienteve të tij: luftojnë për korruptimin kushtetutës të RK-së dhe kur nuk munden thonë i diskriminuan.

Diskursi nuk bëhet me pishmani, çorapa, shamija, dhe kryqi ndër këmishë. Por me argumente. Nëse nuk i keni mos diskreditoni imazhin e plotë juristëve tjerë që të shkoqin për nga erudicioni.

Nëse e zgjat flasim edhe për çështje të fëmijëve, plakave, të drejtat e lirisë, për shamitë.

***

PS. Ky reagim u ndalohet mediave tjera. Është problem plasimi i vetëm njërit reagues, kur lexuesit nuk dinë se ç’ndodhi si tërësi. Ato duhet të dijnë se ç’tha zotëri Koci e kështu me radhë. Të gjitha i gjeni në GazetaExpress.