Skuadra e ligave jo-profesionale Kings Park Rangers ka zbuluar se një nga lojtarët e tyre është lënë “pa aktivitet truri” pasi ka pësuar një dëmtim katastrofik të trungut të trurit. Saburi Adeniji e pësoi dëmtimin më herët këtë muaj dhe u shtrua në kujdes intensiv në “Queen’s Hospital” më 15 janar.
Klubi ka konfirmuar se Adeniji do të ndërrojë jetë dhe ka hapur një faqe “GoFundMe” me synimin për të mbledhur rreth 13,000 paund për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit të familjes së tij, e cila aktualisht ndodhet në Nigeri.
Në një deklaratë nga klubi thuhej: “Kemi nevojë urgjente për mbështetje për të ndihmuar familjen e Saburi Olayinka Adenijit, një bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe anëtar i çmuar i Kings Park Rangers Football Club, i cili aktualisht ndodhet në gjendje kritike pas një dëmtimi të rëndë të trungut të trurit.
“Saburi u shtrua në Kujdes Intensiv më 15 janar 2026 dhe është nën kujdesin e Departamentit të Kujdesit Kritik në ‘Queen’s Hospital’. Sipas mjekut të tij përgjegjës, gjendja e tij ka vazhduar të përkeqësohet dhe tani konsiderohet se është në prag të vdekjes.
“Për shkak të rëndësisë së dëmtimit, Saburi është klasifikuar mjekësisht si pa aktivitet truri. Për shkak të një ndryshimi të fundit në ligj në fillim të këtij viti, pati një periudhë fillestare pasigurie dhe konfuzioni nga ana e spitalit, që do të thoshte se aparaturat e mbajtjes në jetë nuk mund të hiqeshin derisa të përfundonin testime dhe procedura shtesë formale. Këto vlerësime tashmë janë kryer”.
“Spitali ka treguar mirëkuptim duke lejuar një afat të shkurtër kohor që familja e Saburit të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që të jenë me të para se ai të ndërronte jetë natyrshëm nën aparatura ose para se aparaturat e mbajtjes në jetë të hiqen”.
“Bashkëshortja e Saburit dhe vajza e tij e vogël aktualisht ndodhen në Nigeri. Një letër zyrtare nga spitali ka kërkuar urgjentisht trajtim humanitar për t’i lejuar bashkëshortes së tij të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar sa më shpejt të jetë e mundur, që ajo të mund të jetë pranë tij dhe t’i japë lamtumirën e fundit.”
Deklarata shtonte: “Saburi lë pas një vajzë 4-vjeçare, të cilën e adhuronte. Ai punonte pa u lodhur për të siguruar familjen dhe ishte thellësisht i përkushtuar për t’i dhënë vajzës së tij një arsim të mirë dhe një të ardhme më të mirë.”
Deri tani janë mbledhur pak më shumë se 8,000 paund, shumë kjo që do të përdoret për një aplikim urgjent për vizë, fluturime dhe shpenzime të menjëhershme udhëtimi, si dhe për akomodim dhe kosto jetese për bashkëshorten e Saburit gjatë qëndrimit të saj në Mbretërinë e Bashkuar.
Një deklaratë tjetër nga Kings Park Rangers, të cilët drejtohen nga sulmuesi veteran Jamie Cureton, thoshte: “Uau. Jemi absolutisht të mahnitur nga të gjitha fondet e mbledhura. Në momente si këto, komuniteti i futbollit dhe i ligave jo-profesionale bashkohet vërtet dhe kjo është diçka shumë, shumë e veçantë.
“Faleminderit shumë të gjithëve që kanë dhuruar, kanë shpërndarë apo edhe kanë folur për fushatën tonë; ngritja e ndërgjegjësimit është po aq e rëndësishme sa edhe dhurimi.”/GazetaExpress/
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...