Derisa në vendet tjera evropiane federatat po komunikojnë vazhdimisht me klube për të kërkuar modalitete që bashkë ta kalojnë koronavirusin dhe t’i kthehen futbollit, në Kosovë po ndodh e kundërta. Lufta e vjetër ndërmjet opozitës dhe FFK-së është ashpërsuar jashtëzakonisht shumë në këtë kohë pandemie. Në vend se të komunikojnë dhe bashkërisht të kërkojnë modalitete se si dhe kur ta rinisin futbollin në Kosovë, prijësit e disa klubeve po bëhen “kërrsh” me drejtuesit e FFK-së. Gjithçka lidhet kah paraja, tenderët e nepotizmi.
Derisa në shumë shtete tjera evropiane federatat po zhvillojnë komunikime se si ta kapërcejnë bashkërisht pandeminë COVID-19 dhe bashkërisht po kërkojnë modalitete se si t’u kthehen stërvitjeve dhe në çfarë sistemi ta përfundojnë edicionin e pezulluar nga koronavirusi, në Kosovë po ndodh e kundërta.
Komuniteti i futbollit kosovar për model nuk po i merr vendet e civilizuara por politikën kosovare, e cila po bëhet “kërrsh” edhe në këtë kohë rreziku për qytetarët të shkaktuar nga COVID-19, shkruan Gazeta Express.
Ka kaluar një muaj prejse janë pezulluar të gjitha garat futbollistike në Kosovë shkaku i koronavirusit. Mirëpo, Federata e Futbollit e Kosovës dhe disa klube po e vazhdojnë “luftën” e vjetër të tyre, e cila prejse ka filluar është konsideruar si luftë në mes grupeve të interesit për ta marrë apo për ta mbajtur drejtimin e FFK-së, e cila tashmë i ka disa miliona euro në buxhetin e saj prejse është anëtarësuar në UEFA e FIFA.
Në fakt, problemet në FFK dhe rreth saj nisën në vitin e kaluar kur presidenti Agim Ademi u përplas me djalin e presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, Gramozi, i cili doli me probleme nga shtëpia e futbollit. Rreth Gramozit u krijua një grup i madh opozitar, i cili filloi me “bombardime” ndaj Ademit.
Express shkruan se derisa Gramoz Vokrri filloi heshtjen, në skenë doli Arianit Ahmeti, i cili nga pozita e zëvendëssekretarit të FFK-së shpalli kandidaturë për kryetar dhe e nisi sulmin ndaj Ademit, duke ia kontestuar legjitimitetin e mandatit të presidentit. Të njëjtat klube iu bashkuan sulmeve të Ahmetit.
Kjo opozitë vazhdimisht kërkonte që mandati i Ademit është jo legjitim dhe se FFK-ja duhet t’u nënshtrohet zgjedhjeve të reja. Por, presidenti Ademi nuk u dorëzua. Opozita e shtoi ofanzivën duke e përdorur si kauzë edhe faktin që Agim Ademi u dënua nga dy gjykata me nëntë muaj burgim efektiv për një akuzë që e rëndon jashtë futbollit. Presioni i deritanishëm nuk është që ka qenë i vogël për Ademin, i cili sigurisht që e ka ndje dhe e ka përjetuar rëndë, por me rolin e tij ka ditur t’i shpëtojë qoftë shkarkimit qoftë dorëzimit. Në disa raste janë faktuar edhe ndërhyrje politike në disfavor të presidentit aktual.
Siç nuk po dorëzohet Ademi, nuk po dorëzohet dot as opozita, e cila aktualisht zëshëm po përfaqësohet nga Llapi dhe Trepça ’89, por që pranë vetes ka edhe klube tjera të hidhëruara kohë pas kohe me Ademin. Njëra ndër to thuhet të jetë FC Prishtina, e cila ishte e rreshtuar me opozitën në Kuvendin e fundit të FFK ku pati përplasje të mëdha.
Për më tepër FC Prishtina dje i reagoi seriozisht FFK-së, nga e cila madje kërkoi edhe sqarime rreth një raporti financiar, njëjtë siç kërkuan paraprakisht edhe Llapi e Trepça ’89.
Në fakt, tensionet mes opozitës dhe FFK-së në këtë kohë pandemie kanë shpërthyer që nga momenti kur FFK-ja e shpërndau një pako emergjente për të gjitha kategoritë e futbollit, te të cilat kriza financiare është thelluar nga koronavirusi. FFK-ja vendosi që nga secili klub elitar t’i paguajë me nga 350 euro nga 35 persona të tyre. Shuma më të vogla Ademi ndau për ekipet e kategorive tjera më të ulëta.
Derisa shumë klube shprehën falënderime për këtë pako ndihme të Ademit, ky i fundit u sulmua me këtë rast sërish nga Llapi dhe Trepça ’89. Drejtuesit e këtyre klubeve duke e quajtur qesharake përkrahjen financiare të FFK-së në këtë kohë pandemia e akuzuan Ademin se pikërisht në këtë kohë në mënyrë tinëzare po e keqpërdor buxhetin e FFK-së duke dhënë tenderë në mënyrë të pa rregullt për ndërtim fushash. Sipas Abedin Zekës të Trepçës ’89 dhe Tahir Batatinës së Llapit, derisa FC Prishtina tash do ta kremtojë 100-vjetorin e themelimit nuk e ka asnjë fushë stërvitore, ish klubi i Agim Ademit, Kosova e Prishtinës është bërë me fushë, ndonëse klubi sipas tyre në vitin e kaluar është shuar. Madje, këtu Batatina e Zeka e kanë përfshi një familjar të Agim Ademit.
Pas të gjitha këtyre sulmeve dhe akuzave për jo transparencë FFK-ja e publikoi një listë me pasqyra financiare se në cilat klube nga sa para i ka derdhur në tre muajt e fundit. Po ashtu, FFK-ja njoftoi marrëveshjet e arritura dhe njoftoi për disa projekte të filluara dhe të parapara, shkruan Gazeta Express.
Por, këtu sërish u ndezën klubet duke kërkuar nga Ademi që t’i publikojë të gjitha kontratat
“Kërkoj nga organet e FFK-së që urgjentisht t’i ndërpres ë gjitha kontratat e dyshimta që i ka lidh në kohën e fundit Agim Ademi, T’i publikojë kontratat dhe marrëveshjet e nënshkruara, të dëshmohen me fakte shpenzimi i mjeteve të UEFA-s, posaçërisht ato të solidaritetit. Në rast të kundërt ftojmë organet hetuese të fillojnë hetimet dhe personat që kane devijuar këto mjete ta marrin verdiktin e merituar”, ka deklaruar Zeka.
I ashpër ishte edhe Batatina, i cili e akuzoi Ademin për uzurpim të FFK-së, për nepotizëm dhe duke hedh dyshime për keqpërdorime me buxhetin financiar të FFK-së pa harruar që t’ia përmend dënimin me nëntë muaj burg dhe për të kërkuar dorëheqjen e tij.
Së fundmi reagoi edhe FC Prishtina duke theksuar se nuk i ka marrë mbi 117 mijë euro nga FFK-ja siç paraqiti shtëpia e futbollit në një njoftim publik. “Aty ku figurojnë 117,876.00 euro, klubi nuk e dinë se çka janë, as nga vijnë as nuk i ka pranuar ashtu siç dikush është ka aludon. Andaj, kërkojmë sqarim dhe kërkim falje nga ana e FFK-s për këtë lëshim të qëllimshëm apo jo”, thekson FC Prishtina. /GazetaExpress/
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...