Keqpërdorja e Frrok Çupit, kthimi i tij në "servilin dezhurn" të të gjitha pushteteve - Gazeta Express
string(82) "keqperdorja-e-frrok-cupit-kthimi-i-tij-ne-servilin-dezhurn-te-te-gjitha-pushteteve"

Keqpërdorja e Frrok Çupit, kthimi i tij në “servilin dezhurn” të të gjitha pushteteve

OP/ED

Ermal Mulosmani

22/12/2020 12:38

Frrok Çupi nuk e meriton këtë që po i ndodh.

Në ditët e tij më të mira, në agun e demokracisë, emri i tij ishte sinonim i heroit të ditës. Bashkë me Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Azem Hajdarin e ndonjë tjetër, Frroku hynte në ata pak njerëz prej të cilëve Shqipëria “priste shumë”. Në atë kohë, shkrimet e tij përpiheshin nga lexues të etur për vrasjen e frikës, ironinë me pushetarë, për një gazetë ndryshe nga stereotipet e drunjta të një kohe të zezë.

Lexo Edhe:

Frroku ishte dalzotësi i parë i fjalës së lirë. Ai ishte i rrethuar nga emrat më të njohur të penës dhe artit shqiptar të kohës si Kujtim Çashku, Teodor Keko, Preç Zogaj, Petraq Kolevica, Natasha Lako, Ilirjan Zhupa, Mitro Çela etj etj… Të ishe Kryeredaktor i një gazete që kishte një këshill  botues të këtij niveli ishte një luks që të vjen një herë në jetë…

Ato  ishin ditët më të lavdishme të jetës së Frrokut. Aq shumë  e ndiente lavdinë ato kohë Frroku, sa, në një intervistë të shumë viteve më vonë. bën një përqasje modeste mes vetes së vet dhe heroit Sali Nivica:

“Kishte pasur një rast tjetër, dikur para diktaturës komuniste, aty nga viti 1920, kur një patriot i madh dhe gazetar, Sali Nivica, nxori gazetën Populli, edhe kjo një gazetë e lirë për kuptimin e kohës. Sali Nivica ishte shpallur nder i Kombit dhe Mësues i Popullit. Ishte kohë e turbullt, kur liria nuk kishte institucion as ligj. Pas numrit të tretë të gazetës, kryeredaktorin e gazetës, Sali Nivica, e vranë. Edhe atëherë ishte janar, data 10, 1920. Ka qenë një koincidencë: Unë banoja në rrugën me emrin “Sali Nivica”. “Pardesytë e bardha, intervistë me Frrok Çupin”.

Me të tilla mendime-shkreptëima jetonte Frroku ato ditë. Le të vdiste për vatanin si antikomunist, si martir i fjalës së lirë, si rilindasi i parë i kohës së dytë! Jo më kot fati e kishte çuar në rrugën “Sali Nivica”!

Nëse duhet të kërkojmë rrënjët e shkatërrimit frrokian duhet të shkojmë bash atje, 30 vjet më parë…

Megjithatë, Frroku nuk e turpëroi veten edhe në  ditët e vështira (për të) të pushtetit absolut të Berishës. Ai zgjodhi rrugën e përballjes dhe ishte një ndër penat e spikatura të gazetës më të famshme antiberishë, të përditshmes “Koha Jonë”. Për arsye parimore apo për mllef personal, Frrok Çupi ishte ndër më meritorët e shtypit që çuan në rënien e pushtetit të Berishës.

Nëse nuk do t’i shkruaja këto paragrafe nuk do isha i ndershëm me veten dhe të vërtetat që kam përjetuar në ato kohë.

Me luftën civile të ’97 mbaruan edhe ditët e lavdisë së Frrok Çupit.

***********

Këtu siç duket filloi drama e vërtetë e Frrokut, mosvëmendja. Si ato gratë e shkuara nga mosha, hiret e së cilave kanë bërë namin dikur, edhe Frroku e pati të vështirë këtë jetesë pa lavdi. Pushtetarët e rinj kishin hallet e veta. Në hierarkinë e re Çupi përfundoi si Drejtor i Agjensisë Telegrafike Shqiptare, dmth bënte ato lajmet e drunjta pa lëng që as nuk i lexon e as nuk u referohet kush. Sidomos në kohët e arta të lulëzimit mediatik të atyre viteve. Imagjino, në kohët e PD-së, këtë post e mbajti një ish-magazinier peshku.

Jam në gjendje sot të kuptoj gjendjen e Frrokut të atëhershëm. Nga lavdia e ëndërruar si “Sali Nivicë i kohëve moderne” te vendi i ish magazinierit të peshkut që radhiste lajme zyrtare që nuk i lexonte kush. Gjatë asaj kohe u farkëtua në nënvetëdijen e Frrokut urrjetja ndaj të gjithëve, të majtë e të djathtë, u akumulua një maraz e vrer që do i mjaftonte deri në fund të jetës.

Keqpërdorja e parë i takon Berishës. Unë nuk i di rrethanat sesi u takua Berisha i dytë(2005-2013) me Çupin por jam i sigurtë që motivet e atij takimi nuk kanë qenë fisnike. Ndër sundimtarët modernë kanë ikë kohët e ndëshkimit me burg, papunësi apo forma të vjetra të dala boje. Tani ata të ndëshkojnë me poshtërim, të detyrojnë të lëpish ato që ke pështyrë për ta.

Frroku diku duhet ta zbraste marazin e vrerin që po ia helmonin shpirtin. Për këtë u sajuan punët ashtu të shante Edi Ramën nëpër televizione të dorës së dytë si NTV, Shijak TV e të tjera si këto. Në intervistat-muhabet me gazetarët Bejdo Malo dhe Artur Nura, ai akuzonte Kristaq Ramën si vrasësin e poetit Avzi Nela, si Nënkryetar i Komitetit të Dëbim Internimeve dhe mbante flamurin e berishizmit si askush në media.

Unë besoj se ky ishte momenti kur Frroku vendosi të ndahej nga mendimi i tij. Mendimi i tij u përzie keqaz me atë që duhej të thoshte  dhe nuk dihej saktë ku mbaronte i pari e ku fillonte i dyti. Për të shpëtuar nga kjo kakofoni zërash, ai vendosi të largojë mendimet e veta dhe të popullojë kokën vetëm me mendimet që duheshin. Me vullnet ia arriti, siç ia arrin një pijanec të heqë gotën, një duhanxhi cigaren edhe Frroku ia doli të heqë mendimet e veta keqbërëse.

I duhej ky ndryshim për punën e re që kishte marrë përsipër: “Servilin në dispozicion të të gjitha pushteteve”

Ky është Frroku i kohëve tona.

Qysh nga ajo kohë ai është frelëshuar sa herë del nëpër studio. Ai nuk pyet për mendimin e tij të deridjeshëm neveritës, vrasës, për Kristaq Ramën por shkruan:

“vjershat e një poeti nga Kukësi që u var tragjikisht në regjimin komunist, dhe që këta duan t’ia ngarkojnë Kristaqit”.

Poeti nga Kukësi ishte heroi i tij i dikurshëm, emrin e të cilit e bërtiste me pathos të veçantë kur sikteriste Kristaqin vrasës.

Asgjë nuk ka ndryshuar nga atëherë. Përveç Frrokut.

Njerëzit e dëgjojnë e qeshin. Jo pa keqardhje, të paktën unë. Një ditë doli në televizion dhe e akuzoi njërin se “motra jote ka qenë kurvë”, një ditë tjetër shkroi një shkrim mizogjin me epitete mashkullore për një gazetare të njohur, një ditë fyeu një politikane të opozitës duke i thënë “ti je një fjalë e vogël”…

Të nesërmen e daljes televizive të Frrokut do kemi se s’bën deklarata proteste të shoqatave të njerëzve. Në vend të ankohen pse pushteti po keqtrajton Frrokun merren me keqtrajtimet që Frroku u bën njerëzve.