KB Prishtina kërkon gjyqtarë me integritet dhe short për caktimin e tyre - Gazeta Express
string(72) "kb-prishtina-kerkon-gjyqtare-me-integritet-dhe-short-per-caktimin-e-tyre"

KB Prishtina kërkon gjyqtarë me integritet dhe short për caktimin e tyre

Basketboll

Gazeta Express

17/04/2024 20:20

Tashmë sezoni në Superligën e Kosovës në basketboll ka hyrë në fazën më të nxehtë të saj.

Trepça, Peja, Ylli janë skuadrat gjysmëfinale, teksa atyre do t’u bashkangjitet fituesi mes Vëllaznimit dhe Prishtinës.

Lexo Edhe:

E këta të fundit kanë kërkuar gjyqtarë me integritet të plotë, si dhe short për caktimin e tyre.

Kjo është deklarata e tyre e plotë, pa ndërhyrje:

DEKLARATË:

Jemi PËR Gjykim të Drejtë, Gjyqtarë me Integritet të Plotë dhe Short për Caktimin e Gjyqtarëve të Ndeshjes

KB Sigal Prishtina, ashtu siç ka deklaruar vitin e kaluar dhe para pak kohësh në Kuvendin e Punës së FBK-së, mban qëndrimin se pllejofi, sikurse edhe të gjitha ndeshjet tjera të sezonit, duhet të gjykohen nga gjyqtarët me integritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë profesional, e kjo garanton gjykim të drejtë. Me plotësimin e këtyre kushteve përparësi për neve duhen të kenë gjyqtarët vendorë. Kur ka gjykim të drejtë nuk ka rëndësi nacionaliteti, sepse e kemi të freskët rastin skandaloz të gjyqtarëve të huaj grekë, tashmë të suspenduar nga FIBA, me të cilin dëshmohet se tendencat e këqija antisportive dhe korruptive nuk lidhen me nacionalitetin, por me integritetin moral të atyre që për obligim duhet ta kenë ndarjen e drejtësisë dhe kurrsesi favoret e bastoret.

Ne jemi në favor të transparencës së plotë edhe sa i takon mënyrës së caktimit të gjyqtarëve për ndeshje. Propozojmë që pasi të jetë plotësuar kushti i integritetit, gjyqtarët të jenë pjesë e shortit në praninë e mediave dhe të dihet saktë se kush janë ata, e jo kjo të lihet në diskrecionin e atyre që këtë punë mund ta bëjnë për interesa ose favore të caktuara.

Pra, gjykim të drejtë, gjyqtarë me integritet të plotë dhe short për caktimin e gjyqtarëve të ndeshjes.

Me këto kushte të plotësuara, gjyqtarët vendorë duhet të kenë përparësi.