Tifozët mitrovicas janë më të flaktit kur bëhet fjalë për ta përcjellë një ndeshje basketbolli.
Këtë po e demonstrojnë edhe në këtë sezon, ku e mbushën palestrën “Minatori” thuajse në çdo ndeshje.
Ata presin me orë të tëra për bileta, në vapë, në shi e në borë, vetëm për ta përcjellë ekipin e tyre të zemrës në palestër, shkruan “Gazeta Express”.
E të njëjtën gjë po e bëjnë edhe sot.
Tifozët kanë dalë për të pritur për bileta plot katër orë para daljes së tyre në shitje.

Pra, tifozët që nga ora 07:00 e mëngjesit e kanë zënë rendin për ta blerë biletën e lojës Trepça – Peja, ndërsa shitja e tyre do të nisë tek në orën 11:00.
Kjo pa dyshim se është një dashuri e madhe për klubin pasi tifozët po bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme dhe fatkeqësisht palestra “Minatori” është e vogël për t’i pranuar krejt tifozët e interesuar për lojë, shkruan “Gazeta Express”.
Ndeshja e parë finale e “play-offit” të Superligës së basketbollit mes Trepçës dhe Pejës do të nisë në orën 20:00 sonte.
Ekipi që i shënon tri fitore do të shpallet kampion i Kosovës. /Gazeta Express/